Autoritetet australiane janë munduar të mbrojnë kryeministren e vendit Julia Gillard dhe liderin e opozitës nga zemërimi i më shumë se 200 protestuesve. Më shumë se 50 trupa policore u deshën për të mbrojtur dy lideret më të larte të vendit.
Lajmin e kanë bërë me dije mediat lokale, sipas të cilave rreth 40 policë shoqëruan Gillard dhe Abbott nga një restorant i qytetit të Kanberas, pasi ai u rrethua nga mbështetës të së ashtuquajturës Ambasada e Vendasve.
Ka qenë Abbott që fillimisht ka ngjallur edhe më zemërimin e protestuesve, me një deklaratë, se kishte ardhur koha që të mbyllnin kampin e tyre me çadra, që shënon plot 40 vjet nga ngritja.
Dy politikanët ndodheshin atje për të marrë pjesë në një ceremoni ku u nderuan me medalje personat që kishin ndihmuar komunitetet gjatë fatkeqësive natyrore, si zjarret e vitit 2009 në Viktoria dhe përmbytjeve të viteve 2010 dhe 2011 në Kuinslend.
Për tu shpëtuar turmave që hidhnin parrulla të tilla si “turp të keni” apo “racistë” Gillard dhe Abbot u desh të qëndronin për rreth 20 minuta aty pranë për tu shoqëruar më pas nga forcat e shumta të rendit nga një derë anësore.
Sipas BBC, kaosi shpërtheu kur një nga truprojet e kapi kryeministren nga shpatullat dhe e dërgoi deri tek makina që e priste ku ajo humbi dhe një këpucë. Kampi në fjalë, i njohur ndryshe si ambasada e tendave, e cila u ngrit në vitin 1972 nga katër persona, në shenjë proteste ndaj refuzimit të kryeministrit të atëhershëm për të njohur të drejtat e banorëve indigjenë.
Thursday, 26 January 2012 16:26