Tiranë (PLOTESUAR 26 Janar, 12:40) Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 73 vota pro dhe 57 kundër ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin nga detyra të nënkryetarit të Këshillit të Lart të Drejtësisë Kreshnik Spahiu.
Deputetët e Partisë Socialiste të opozitës kundërshtuan në Kuvend kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për nisjen e procedurave të shkarkimit të zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, përmes ngritjes së një komi
sioni hetimor.
Deputeti Fatmir Xhafaj, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, u shpreh që në fillim se opozita “nuk do të votojë ngritjen e këtij komisioni, jo se ajo është në mbështetje të Kreshnik Spahiut, pasi nuk e vlerëson pozitivisht punën e tij në krye të KLD-së, por është kundër ngritjes së tij, pasi i mungon morali politik”.
“Kjo është një nismë e cënueshme në frymën kushtetuese. Kërkesa dhe mënyra se si ajo është hartuar, është e sforcuar dhe nuk i përmbush kriteret e Kushtetutës”, tha deputeti Xhafaj.
Sipas tij, “ligji për KLD-në përcakton se mbarimi i mandatit për anëtarin para afatit përcaktohet nga KLD. Dhe në rastin e shkarkimit të Spahiut, kompetencën e ka vetëm KLD dhe jo Kuvendi”.
Ndërkohë grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i propozoi seancës së sotme plenare të Kuvendit të miratojë kërkesën për nisjen e procedurave për shkarkimin e zv/kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kërkesë e cila është miratuar më parë nga Komisioni i Ligjeve.
Në seancën e sotme plenare, deputeteti demokrat, njëherësh relator i çështjes, Viktor Gumi, paraqiti relacionin, ku sqaroi dhe arsyet se pse duhet të nisë kjo procedurë.
“Komisioni i Ligjeve i ka propozuar seancës plenare që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së grupit të nismëtarëve dhe të miratojë për këtë qëllim projektvendimin për ngritjen e Komsionit Hetimor dhe caktimin e objektit, përbërjes dhe afatit të komisionit për shqyrtimin e kërkesës për nisjen e procedurës për shkarkimin nga detyra të Kreshnik Spahiut, zv.kryetar i KLD”, tha Gumi.
Deputeti Gumi sqaroi më tej se pas paraqitjes së kërkesës së deputetëve demokratë, Spahiu është lajmëruar për mundësinë që kishte për të qenë i pranishëm në seancën e Komisionit të Ligjeve, ku do të shqyrtohej kërkesa, si dhe për të paraqitur vlerësimin e tij për respekt të anës formale juridike.
“Spahiu u paraqit në mbledhjen e Komisionit, ku iu bë e ditur roli i tij, por për shkak të akteve dhe sjelljeve tendencioze, fyese dhe të papranueshme për Komisionin e Ligjeve dhe Kuvendit, mungesën e theksuar të respektit institucional dhe etikës në komunikim, vijimësinë e sjelljeve të padenja, ndonëse ato kryheshin pas paralajmërimeve, Spahiu u dëbua nga salla”, tha Gumi.
Gumi sqaroi më tej arsyet e kërkesës së paraqitur nga deputetët demokrate, si dhe procedurat e ndjekura deri tani. (LajmeShqip.com)
**************************
Tiranë (PLO
TESUAR 26 Janar, 11:40) -Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë kërkon që të flasë para deputetëve në Kuvend, ndërsa shqyrtohet pikërisht kërkesa e një grupi deputetësh “Për nisjen e procedurës së shkarkimit të tij nga detyra.
Spahiu i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, duke i kërkuar që të flasë në seancën e sotme ndërsa organi ligjvënës ka nisur procedurat per shkarkimin e tij.
Spahiu citon në letër se komisioni i ligjeve i ka mohuar atij të drejtën e fjalës ndërsa Kuvendi ka detyrimin kushtetues ta dëgjojë. “
“Duhet të garantoni një proces të rregullt ligjor”-shprehet në këtë letër nënkryetari i KLD-së.
Spahiu deklaron gjithashtu se kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka kthyer përgjigje negative kësaj kërkese, duke I thënë se mund të flasë në komisionin parlamentar të ligjeve.
***************************
Tiranë- Kuvendi ka nisur punimet e seancës plenare të radhës me pr/ligjin “Për ratifikimin e konventës rajonale për rregullat preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të origjinës”.
Pika më e rëndësishme e punimeve të sotme parlamentare është shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh “Për nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu”.
Shqyrtimi në parlament i kësaj kërkese bëhet një javë pas miratimit të saj nga deputetët e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve. Kërkesa parashikon ngritjen e një komisioni parlamentar që do të hetojë veprimtarinë e zv/kryetarit të KLD-së, pas akuzave se ai ka shfrytëzuar postin për të kryer veprimtari politike.
Maxhoranca në kërkesën e saj argumenton se Spahiu ka shkelur ligjet, duke cënuar dinjitetin e institucionit që ai drejton, ndaj dhe nevojitet një komision hetimor.
Nisma e maxhorancës është kundërshtuar nga nënkryetari i KLD-së, e cila, sipas tij, nuk ka asnjë mbështetje kushtetuese.
Nga ana e saj, opozita e majtë është shprehur kundër kësaj kërkese, duke paralajmëruar se grupi parlamentar i saj do të votojë kundër sot në seancë plenare. Deputetët socialistë janë shprehur se opozita jo vetëm nuk e miraton ngritjen e një komisioni hetimor ndaj nënkryetarit të KLD-së, por ajo as nuk do të bëhet pjesë e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 January 2012 10:50