Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 09:59

Prishtinë-Vizita e paralajmëruar për të enjten në Prishtinë e ndërmjetësit për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper, nuk do të mundë të realizohet për shkak të motit të keq në Kosovë dhe bllokimit të rrugëve nga bora e madhe.

Siç raporton “Zëri” zyrtarë nga Brukseli me kusht anonimiteti kanë njoftuar se Kuper pas vizitës në Beograd të mërkurën është kthyer direkt për në Bruksel duke anuluar kështu vizitën në Kosovë ku ishte paraparë diskutim rreth raundit të ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ndërmjetësi Robert Kuper ka realizuar takimet e planifikuara në Beograd dhe për shkak të motit të keq ai nuk do të udhëtojë drejt Kosovës por do të kthehet në Bruksel prej nga do të ketë video-diskutim me udhëheqësen e bisedimeve nga pala kosovare Edita Tahirin”, ka thënë një zyrtar i lartë në Bruksel me kusht anonimiteti.

Zyrtarë nga Brukseli shfaqin bindjen e tyre se takimi që do të jetë përmes formave elektronike nuk do të zbehë rëndësinë e takimit dhe temat që do të diskutohen mes Kuper dhe Edita Tahirit.

Kuper para bisedës që do të ketë me Tahirin ka pasur një takim me shefin e bisedimeve nga pala serbe Borislav Stefanoviq, me të cilin, sipas medieve serbe, janë diskutuar marrëveshjet e arritura deri më tani.

Bëhet me dije se gjatë takimit Kuper e ka dhënë një propozim tek pala serbe në lidhje me rrjedhën e dialogut që pritet të vazhdojë por për mediat serbe, nga një kumtesë e lëshuar nuk janë bërë me dije detajet e propozimit të ndërmjetësit Kuper.