Lajme Shqip Wednesday, 25 January 2012 21:00

Kabul – Gruaja nga Afganistani me emrin Sharah, 24 vjeçare, lindi gjashtë foshnje në spitalin e qytetit Mazar-e-Sharif, në veri të Afganistanit. Ajo nuk e dinte se ishte shtatzënë me më shumë se një fëmijë.

Mjekët thonë se gruaja nga një fshat i largët i provincës Balk u paraqit në spital dhe për një ditë lindi tre djem e tri vajza. Kjo ishte shtatzënia e saj e parë.

Mjekët thonë se ajo kurrë nuk ishte kontrolluar tek mjeku gjatë kohës së shtatzënisë dhe se është një dukuri shumë e rrallë që një grua të lindë gjashtënjakë pa trajtim paraprak mjekësorë.

Afganistani është vendi që ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave në botë.

Zyrtari lokal i spitalit Mirwais Rabi, i tha BBC-së se të gjashtë foshnjat janë në gjendje të mirë shëndetësore, por nën peshën e duhur. Fëmijët janë vendosur në inkubatorë dhe një ekip special i mjekëve po kujdeset për ta. Nëna e tyre është në gjendje të mirë, por sigurisht, e lodhur.