Tiranë-Tre të arrestuarit e pak ditëve me parë për ngjarjet e 21 janarit, do të hetohen nën masën e sigurisë së ‘arrestit në shtepi’, dhënë ndaj tyre nga Gjykata e Tiranës.
Në një seancë të zhvilluar sot, Gjykata njohu zyrtarisht me masën e sigurisë së “arrestit shtepiak’ ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, shoferin e tij, Margarit Kume dhe specialistin e IT-se në Kryeministri, Armando Kasaj.
Sipas prokurorisë së Tiranës, ish- komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, akuzohet për vrasjen me pistoleten e tij të shërbimit të shtetasit Faik Myrtaj, gjatë demonstratës së opozitës në 21 janar 2011 para selisë së Kryeministrisë.
Ndërkohe që, Margarit Kume akuzohet për pengim të hetimeve, pasi dyshohet se ka ndërruar tytën e pistoletës së tij me atë të Prendit. Ndërsa, specialisti i IT-së, Armando Kasaj, akuzohet se ka fshirë pjese nga materialet filmike të kamerave të sigurisë së Kryeministrisë në 21 janar të vitit të kaluar, akuzë të cilën ai e ka mohuar.
Faktikisht, masa e sigurisë ndaj tyre ishte marrë para disa ditësh nga kjo Gjykatë, ndërsa sot atyre iu komunikua zyrtarisht. Ndërkohe që prokuroria ka lajmeruar se do ta apelojë masën e arrestit shtëpiak ndaj tyre. Gjatë protestës së dhunëshme te opozitës para selisë së Kryeministrisë në 21 janar 2011, u vranë me armë zjarri 4 demonstrues, ndërsa pati shumë të plagosur, midis tyre mjaft efektivë të policisë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 January 2012 19:30