Lajme Shqip Wednesday, 25 January 2012 15:00

Tiranë-Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço i ftuar sot, në Forumin Ekonomik të Dhomës Britanike të Tregtisë në Tiranë, duke prezantuar programin e privatizimit, ftoi biznesin britanik të investojë në energjetikë, naftë, miniera, parqet industriale në Shqipëri.

Duke vlerësuar se, ekonomia shqiptare pavarësisht krizës ekonomike botërore, ruan stabilitet makroekonomik dhe financiar dhe ka siguruar rritje ekonomike, Naço tha se “eksportet shqiptare në vitin 2011 u rritën 20% krahasuar me 2010-ën, ndërsa niveli mesatar i inflacionit ka qenë nën 3%”.

Naço theksoi se dy ligjet bazë të koncensioneve të vitit 2006 dhe për mbrojtjen e investimeve të huaja të 2010-ës kanë ndikuar në rritjen e investimeve të huaja.

“Fluksi i investimeve të huaja direkte (IHD) në vitin 2011 arriti në 1 miliardë usd, me një rritje 15% më shumë se viti paraardhës, ndërsa zënë 9 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto”, tha Naço.

Ministri i Ekonomisë i prezantoi biznesit britanik fushat me interes për investime, duke veçuar si “më atraktiv” sektorin e energjisë ku operojnë për ndërtimin e hidrocentraleve dhe parqeve eolike me financime disa qindra milionë euro kompani të mëdha.

Ndërsa ministria e Ekonomisë ka dhënë 110 koncensione për ndërtimin e 300 HEC-eve me 1400 MW fuqi të instaluar dhe parqe eolike, Naço njoftoi se “brenda pak muajsh ne do të hapim tenderat ndërkombëtare për ndërtimin me koncension të kaskadave të hidrocentraleve mbi lumenjtë Vjosë dhe Osum si dhe për HEC-et e Shkopetit dhe Bistricës”, ndërsa ftoi biznesin britanik për pjesëmarrje.

Ministri i Ekonomisë prezantoi përparësitë që kanë investimet në sektorin e naftës, ku vjet prodhimi u rrit 20% më shumë se viti paraardhës e ku punojnë disa kompani të mëdha për kërkim dhe prodhim. “Jemi në përfundim të raportit financiar të kompanisë “Albpetrol” dhe shumë shpejt do të hapet tenderi për privatizimin e saj 100%”, tha Naço.

Gjithashtu, ai paraqiti programin e privatizimit në sektorin minerar pas reformës dhe paketës së re ligjore, ku përparësi po merr nxitja e përpunimit të minerareve në vend, rritja e punësimit, etj. “Në 4 muajt e fundit u bënë 140 tendera për leje minerare ku morën pjesë dhe kompani të huaja nga Kanadaja, Amerika, etj”, tha Naço.

Ai ftoi biznesin britanik në programin e dhënies me konçension të parqeve industriale. “Qeveria ka 9 zona ekonomike, një si zonë e lirë, në të cilat synojmë zgjerimin e sektorit prodhues të industrive të fasonit, peshkut, mobilerive, minierave, etj, pasi sot eksportet e tyre janë rritur dukshëm në vende si Gjermania, Çekia, Suedia”, etj”, tha Naço.

Ministri prezantoi politikat liberale të qeverisë në konsolidimin e sistemit fiskal dhe probiznes, fleksibilitetin e kursit të këmbimit të monedhës vendase, të cilat rritën rolin e ekonomisë vendase në ballafaqim me ato të huaja.

Gjithashtu, ai prezantoi reformat për zhvillimin e biznesit, procedimet për lejet, licencat, qeverisja elektronike, dhënia e kredive të buta përmes programeve për zhvillimin dhe fuqizimin e SME-ve, trajnimeve për sipërmarrjen, zbatimi i marrëveshjeve CEFTA, EFTA, dhe së afërmi, PAN-EUROMED, si rrugët që rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. (LajmeShqip.com)