Regjisorja kosovare, Blerta Zeqiri ka marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në garën ndërkombëtare në Festivalin e Filmit në Sundance.
”Kthimi” titullohet filmi i saj, i cili ka qenë edhe i pari prodhim kinematografik kosovar që ka marrë pjesë në këtë festival, gjithashtu dhe që ka marrë çmim.
Në Facebook regjisorja kosovare, Zeqiri, ka shkruar se e gjithë kjo është një ëndërr. Ndërsa producenti i filmit, Blerim Gjocaj ka shkruar po ashtu në Facebook se ky çmim i hap filmit rrugën për të konkurruar në “Oscar”.
Festivali “Sundance” është themeluar nga aktori i famshëm amerikan Robert Redford dhe njihet si festivali më i madh i filmit të pavarur në SHBA. Mbahet çdo vit në Park City, Utah.
Ndërsa filmi “Kthimi” rrëfen një histori të pasluftës dhe flet për një burrë (Lulzim Bucollin), i cili i kthehet gruas (Adriana Matoshit) dhe djalit të tij nga një burg i Serbisë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që kur ai ishte shpallur i zhdukur. Të vazhdohet aty ku e kanë lënë katër vite më parë, mund të mos jetë aq e lehtë sa duket.
Wednesday, 25 January 2012 12:34