Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 18:06

Mitrovicë – Mbi 200 persona në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale në qytetin e Mitrovicës pritet të mbesin pa bukë që nga një shkurti.

Ministria e Punës dhe Mirëqënies Sociale në Prishtinë, me një shkresë të drejtuar kryetarit të Komunës së Mitrovicës,  Eshref Shabani, pa hyrë në asnjë detaj dhe pa theksuar asnjë zgjidhje apo alternativë për të varfrit, ka marrë vendim që të shkëputet kontrata për projektin “Shujtë për të gjithë”, e cila ishte nënshkruar mes kompanisë private “Enimex” dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Kuzhina për të varfrit do të mbyllet”- ka thënë Enaver Rama, pronari i Kompanisë ‘Eminex’, pasi këtë e ka kërkuar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me një vendim të saj.

Rama këtë lajm ua ka bërë të ditur të varfërve të martën duke thënë se se ndërprerja e parakohshme e projektit “shujtë për të gjithë” ka ardhur për shkak të mungesës së fondeve.

Ky vendim që të mbyllet kuzhina ka prekur shumë të varfrit. Xhevat Beqiri, ka theksuar se ai bashkë me 6 anëtarët e familjes janë ushqyer në këtë kuzhinë rregullisht dhe falë ushqimit këtu kanë mbijetuar.

“Jam i sëmurë dhe nuk kam mundësi të punoj, ndërsa nuk kam askënd tjetër nga anëtarët e familjes në punë. Nuk di çfarë të bëj, veç të shkoj dhe të mbytem diku”, ka thënë Beqiri.

Të gjithë familjet e varfra theksojnë pothuajse të njëjtat probleme dhe vështirësi, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që të anulojë këtë vendim.

Ata janë drejtuar edhe në komunën e Mitrovicës, ku janë pritur nga drejtori i Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, i cili ka thënë se Komuna e Mitrovicës nuk do të pajtohet që kjo kuzhinë të mbyllet, si dhe do të bëjë një ankesë në këtë Ministri rreth kësaj çështje, tepër serioze dhe të ndjeshme, duke shpresuar në anulimin e këtij vendimi të MPMS-së.

Të varfrit kanë thënë se nëse brenda 2-3 ditësh nuk marrin ndonjë përgjigje pozitive, ata do të shkojnë në Prishtinë për të protestuar duke shtuar se do të futen në objektet e Ministrisë dhe nuk do të dalin nga aty deri sa të zgjidhet kjo çështje.

Pronari i kuzhinës Enver Rama, ka thënë se ka mundësi që këtyre njerëzve t’u jap ushqime nga paratë e veta vetëm edhe për 10 ditë dhe jo më shumë.

Kundër këtij vendimi kanë reaguar edhe shoqata të ndryshme të cilat kanë kërkuar që ky vendim i  Ministrisë të anulohet dhe gjithësesi duhët të shtohet ende numri i personave pasi që të gjithë e dinë se banorët Mitrovicë jetojnë në varfëri të thellë. (LajmeShqip.com)