Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 17:00

Prishtinë-Me qëllim të sensibilizimit të opinionit  dhe të njoftimit të rinjve të të gjitha komuniteteve,  ministri, zëvendësministrat, komandanti dhe ekipet mobile të FSK-së, do t’i vizitojnë të gjitha qytetet e Kosovës, për t’i njoftuar me kushtet dhe të përparësitë që mund të përfitojnë të gjithë ata  që do të bëhen pjesëtarë të Rezervë të FSK-së.

Drejtori i Zyrës për Informim të Ministrisë së FSK-së Ibrahim Shala tha se bazuar në Ligjin për Komponentin Rezervë të FSK-së, ka precizuar kushtet për shërbim të kandidatëve që do të pranohen.

Do të kenë promovimin sipas arritjeve profesionale; do të kenë mundësi për zhvillim të karrierës, do të kenë trajtim dhe përkujdesje të njëjtë, me të gjithë pjesëtarët e FSK-së, do të kenë mundësi të kalimit nga komponenti rezervë në atë aktiv të FSK-së; por edhe do t’ju ruhet vendi i punës në jetën civile.

Përveç vizitave të shumta që do bëhen nga Stafi më lartë i FSK-së, në çdo qytet, do të veprojnë edhe ekipet mobile nëpër të gjitha qendrat komunale, me qëllim të njoftimit të të rinjve me kushtet dhe detyrat e pjesëtarëve rezervë të FSK-së.

Konkursi për aplikim do të hapet me 20 shkurt dhe do të jetë i hapur deri me 23 mars 2012. Kjo është fushata e dytë informuese për rekrutimin e pjesëtarëve të Komponentit Rezervë të FSK-së, fushata e parë është  mbajtur në vitin 2010. Sipas ligjit, Komponentën Rezervë e FSK-së duhet t’i ketë 800 pjesëtarë. (LajmeShqip.com)