Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 15:30

Tiranë- Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Alekandër Arvizu, gjatë një takimi të martën me Presidentin Bamir Topi, theksoi nevojën e konsolidimit të mëtejshëm të shtetit të së drejtës dhe funksionimin ligjor e profesional të institucioneve të pavarura kushtetuese.

Sipas një njoftimi për shtyp, disa nga çështjet e diskutuara gjatë këtij takimi pune lidheshin me pavarësinë e institucioneve kushtetuese, mbi reformën në drejtësi, ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar në parlament, miratimi i Gjykatës Administrative, sfidat politike dhe ato të integrimit, me të cilat pritet përballja gjatë vitit 2012, si dhe situata në rajonin e Ballkanit.

Në kuadër të trajtimit të tyre, dy zyrtarët nënvizuan rëndësinë e arritjes së rezultateve pozitive nëpërmjet bashkëpunimit konstruktiv mes të gjitha forcave dhe aktorëve politikë në vend, të bazuar në gatishmërinë, mirëkuptimin dhe vullnetin politik të palëve, të cilat, sidomos në këto momente, vlen të dëshmojnë vlera të kulturës dhe etikës politike demokratike në shërbim të mirëfunksionimit të jetës institucionale dhe të shtetit ligjor.

Presidenti Topi ritheksoi qëndrimin e tij se “do të vijojë të apelojë në kërkim të përcjelljes së këtyre mesazheve për klasën politike shqiptare”, ndërsa nënvizoi se “deri në fund të mandatit të tij si President do të kontribuojë me të gjitha kompetencat e tij kushtetuese, në përmbushjen e aspiratave integruese dhe të interesave kombëtarë të popullit shqiptar”. (LajmeShqip.com)