Kosovë – Përdorimi i Laptopëve në vend të ditarit, ku në mënyrë elektronike mbajnë shënim notat dhe mungesat e nxënësve, është një nga risitë më të fundit. Shkolla fillore “Eqerem Çabej” në Mitrovicë, është vlerësuar si më e suksesshmja në të gjithë Kosovën për sa i përket realizimit të projektit E-shkolla. Në bazë të këtij pilot-projekti, e gjithë puna administrative e mësimdhënësve bëhet në mënyrë të dixhitalizuar.
Drejtoresha e shkollës, Sanie Raifi, është shprehur se të gjithë mësimdhënësit janë të pajisur me laptop, tek i cili mbajnë të gjitha shënimet për nxënësit. “Laptopët përdoren në vend të ditarit. Aty shënohen notat e nxënësve, mandej edhe mungesat, etj”. Ajo theksoi se e mira e këtij projekti është mundësia që ofrojnë laptopët që janë të lidhur me internet për të përcjellë të gjithë punën që bëhet nga mësimdhënësit. “Ky pilot-projekt i Ministrisë së Administratës Publike ka qenë mjaft i rëndësishëm, si për mësimdhënësit ashtu edhe për nxënësit”.
Për të parë ecurinë e zbatimit të këtij pilot-projekti, Mahir Jagxhillari, ministri i Administratës Publike, vizitoi të hënën këtë shkollë në shoqërinë e zëvendësministrit të Arsimit, Nehat Musa si dhe nënkryetarit të komunës, Riza Haziri. Pasi panë punën që po bëhet në këtë shkollë, ata vlerësuan se kjo praktikë duhet të përdoret edhe nga shkollat e tjera. Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, u shpreh shumë i kënaqur që pilot-projekti ‘E-shkolla’ po tregohet i suksesshëm.
“Ne e kemi nisur këtë pilot projekt në tri komuna dhe gjithsej në pesë shkolla. Në Mitrovicë kanë përfituar dy shkolla dhe tash po shohim se po ka sukses”. Ai tha se qëllimi i pilot-projektit ‘E-shkolla’ është avancimi i punës në aspektin administrativ nëpër shkolla. “Ky projekt po e avancon punën dhe po krijon kushte më të mira për mësimdhënësit dhe për nxënësit”.
Jagxhillaro tha se për këtë pilot-projekt që ka nisur në pesë shkolla janë investuar 240 mijë euro, ku në kuadër të këtij projekti janë pajisur me laptopë 125 mësimdhënës. “Nëse ky projekt tregohet i suksesshëm ashtu si edhe në shkollën fillore “Eqerem Çabej”, atëherë në bashkëpunim me MASHT-in do ta vazhdojmë këtë nismë edhe në shkollat e tjera”.
Edhe zëvëndësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, e vlerësoi këtë si një projekt që avancon punën në shkolla dhe ngre nivelin e përgjithshëm të procesit arsimor. “Projekti E-shkolla bën pjesë në komponentën e avancimit të administratës shkollore që krahasohet me shtetet e zhvilluara”. Ndërsa nënkryetari i komunës, Riza Haziri, pasi falënderoi zyrtarët qeveritarë për mbështetjen, vlerësoi edhe punën e mirë që po bëhet nga drejtuesit dhe mësimdhënësit e shkollës “Eqerem Çabej”. Ai tha se gjatë viteve të fundit është investuar shumë në infrastrukturën shkollore, duke përfshirë edhe mjetet e punës dhe kjo ka krijuar një ambient shumë më të mirë përsa i përket procesit arsimor.
Tuesday, 24 January 2012 12:20