Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 00:44

Prishtinë- Një gjykatës i EULEX-it i procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë,  më 20 janar 2012  ka konfirmuar në tërësi aktakuzën kundër Jevro Pantelic dhe ka deklaruar të gjitha provat e mbledhura gjatë hetimit si të pranueshme.

Sipas njoftimit të dhënë pak më parë nga EULEX,  Pantelic akuzohet nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) me gjashtë akuza: kontrabandë të mallrave; evazion fiskal; shmangie mashtruese nga taksat e importit dhe akcizës; pastrim të parave; krim të organizuar; mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i përkiste një grupi kriminal që vepronte në veri të Kosovës gjatë periudhës 21 Maj 2009 – 16 maj 2011, dhe kontrabandonte derivate të naftës në Kosovë.

Pantelic u arrestua më 17 maj 2011 nga policia e EULEX-it, dhe që atëherë ai është mbajtur në paraburgim në qendrën e paraburgimit në veri të Mitrovicës.

Hetimi, ndjekja penale dhe gjykimi i rasteve të krimit të organizuar në Kosovë është pjesë e mandatit ekzekutiv të EULEX-it, përfundon njoftimi.

Media kosovare, në maj të vitit të kaluar njoftonte se arrestimi në Zubin Potok i serbit Jevro Pantelicit, i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, kishte trazuar strukturat paralele në veri të Kosovës dhe se pjesë e reagimeve ishin edhe protestat dhe bllokimi i rrugëve.