Lajme Shqip Monday, 23 January 2012 14:53

Bruksel-Komisioni për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian diskuton sot një projektrezolutë për procesin e integrimit europian të Kosovës të hartuar nga eurdoeputetja Ulrike Lunaçek.

Në draft rikonfirmohet që Kosova të përfitojë nga perspektiva e liberalizimit të vizave me përmbushjen e të gjitha kushteve ndërsa përshendetet vendimi i Këshillit të BE-së i dhjetorit të vitit të kaluar për të nisur dialogun për vizat pa paragjykim ndaj qëndrimit që kanë shtetet anëtare ndaj statusit të Kosovës.

Diskutimet zhvillohen sot pasdite ndërsa nesër komisioni voton ndryshimet që i janë bërë draftit. Në këtë rezolutë refuzohet gjithashtu çdo mundësi për ndarjen e Kosovës.

Por drafti është mjaft kritik ndaj Kosovës, duke rikujtuar parregullsitë në zgjedhjet e fundit dhe mosdënimin e përgjegjësve për mashtrimet e kryera gjatë procesit elektoral.

E ndërsa rikujtohet se pavarësia e Kosovës është njohur nga 87 shtete deri më tani, përfshirë këtu edhe edhe 22 vende anëtare të BE-së, në draft thuhet se do mirpritej

njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga 5 shtetet e mbetura të Bashkimit Evropian.

Projekt rezoluta kërkon ndërkohë nga EULEX-i të bëjë më shumë për të kryer punën veçanërisht në pjesë të ndjeshme të Kosovës në kushte krize, sikur është rasti me zhvillimet në veri të Mitrovicës.

Në draft i bëhet thirrje qeverisë së Serbisë që të shpërbëjë strukturat paralele në territorin e Kosovës.

Sa i përket zgjidhjes së situatës në veri, Parlamenti është i mendimit se ajo duhet të gjendet përmes negociatave dhe zbatimit të Pakos së Ahtisaarit, zbatimi i së cilës, do t’u siguronte serbëve një autonomi të gjerë.

Diskutimi i parë për këtë rezolutë u zhvillua në muajin nëntor të vitit të shkuar, ndërsa në mesin e dhjetorit ishin paraqitur mbi 200 amendamente nga deputetët e ndryshëm. (LajmeShqip.com)