Tiranë-Në kushtet kur efektet e krizës ekonomike në eurozonë bëhen gjithnjë e më të dukshme, institucioni kryesor bankar në Shqipëri, Banka Qendrore konfirmon për një sistem bankar solid të qendrueshëm dhe likujd.
Në fund të muajit nëntor të vitit 2011 kreditë me probleme arritën 18.4%, duke shënuar një rritje të lehtë kundrejt një muaji më parë. Por një nivel ky totalisht i menaxhuar nga sistemi bankar, shpjegojnë ekspertët e BSH-së.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë me probleme klasifikohen ato kredi që nuk paguhen për të paktën 3 muaj radhazi, kredi të dyshimta me 6 muaj vonesë dhe kredi të humbura.
Një pjese e madhe e këtyre kredive vjen si pasoje e veshtiresise qe ka biznesi dhe individët për te paguar këstet dhe rrjedhimisht bankat janë te detyruara tu konfiskojnë atyre garancinë e detyrueshme për te marre hua. Pjesa më e madhe në portofolin e kredive me probleme përbëhet nga kreditë nën standarde, që janë ato me vonesë në shlyerje prej të paktën 3 muajsh dhe një kredi vlerësohet si e humbur nëse nuk paguhet për një vit kalendarik rresht.
Sipas të dhënave zyrtare, kreditë e dhëna nga bankat janë të mbuluara me kolateral në një masë që zakonisht është sa 140% e vlerës së kredisë. Siç dihet, procedurat e ekzekutimit të kolateralit janë të ngadalta dhe problematike, por në përfundim të ekzekutimit bankat përgjithësisht arrijnë të marrin mbrapsht shumën e kredituar dhe kredia e pakthyer fshihet nga bilanci.
Sot me tepër se gjysma e bizneseve ne Shqipëri kane probleme me pagesat e kësteve te kredisë, gjë qe ka shtuar konfliktet me bankat. Nga 18,4% te totalit te kredive te këqija, 14% janë te biznesit.
Ekspertët vlerësojnë se, praktikisht bankat janë të cënuara kur i perkën provigjionet dhe pas provigjioneve edhe fitimi i tyre, pavarësisht përqindjes në të cilën janë kreditë e këqija.
E vërteta është se pjesa me e madhe e këtyre kredive janë të trashëguara që nga viti 2001-2004, para që nuk do të merren kurrë nga bankat, por përsëri kane mbetur në sistem. Sipas te dhënave qe disponon banka e Shqipërisë, shuma ne total e kredive te dhëna deri ne 6-mujorin e parë 2011 është rreth 350 milionë euro.
Lidhur me nivelin e kredive ne vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, Shqipëria është më pak e varur nga financimet nga jashtë. Cka do të thotë se kreditimi në ekonominë shqiptare mbështetet kryesisht te depozitat e brendshme të publikut. Raporti mes kredive dhe depozitave është rreth 61%.
Ky problem ekziston vetëm për banka të veçanta, kryesisht ato greke, që zgjerimin në tregun shqiptare e mbështetën në linjat e kredisë të marra nga bankat mëmë.
Banka Emporiki e ka raportin mes kredive dhe depozitave në nivelin 192%, ndërsa NBG Bank 104%. Por edhe këto banka tashmë e kanë kuptuar rrezikun e varësisë së lartë nga burimet e huaja, ndaj në vitet e fundit janë përpjekur të rrisin nivelin e depozitave të publikut.
Kështu, Tirana Bank, e ka ulur nivelin mes kredive dhe depozitave në 83%, nga mbi 100% që e kishte deri në vitin 2009. Shqetësim tjetër, për ekspertët e Bankës Botërore, është mundësia që grupet e mëdha bankare të ulin kapitalin e filialeve të tyre në vendet në zhvillim, pranë niveleve që nuk lejojnë mbulim të mjaftueshëm nga risku i kredisë. Edhe për sa i takon kapitalizimit, sistemi bankar shqiptar është më pak i ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme. Aksionerët e bankave të huaja nuk mund të ulin kapitalin pa miratimin e Bankës së Shqipërisë.
Në çdo, rast kapitali i bankës nuk mund të jetë më pak se 12% e vlerës së aseteve në risk. Sipas të dhënave më të fundit, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar është 15.1%.
Gjatë vitit 2011, disa banka të veçanta, që e kishin këtë tregues pranë vlerave minimale të lejuara, përmbushën kërkesën e Bankës Qendrore për rritje kapitali.
Banka e Shqipërisë gjykon se me avancimin e procedurave të ekzekutimit përqindja e kredive me probleme do të bjerë gradualisht. Paralelisht, vitet e fundit standardet e kredidhënies nga bankat janë shtrënguar ndjeshëm, çka ul rreziqet e shfaqjes së kredive të reja problematike në të ardhmen. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 January 2012 08:00