Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 20:30

Prishtinë- Kosova po angazhohet për një frymë evropiane, ka thënë zëvendëskryeministrja kosovare Edita Tahiri në takim me drejtorët politik të Forumit të Vishegradit, duke folur për rrugën e shtetndërtimit demokratik.

Ajo tha se prioritet e Kosovës në këtë vit janë të punojnë në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe  përshpejtimin e integrimeve euroatlantike, ndërsa ka përmend  në veçanti angazhimet për integrimin e komunitetit serb në pjesën veriore të vendit  në harmoni me Kushtetutën e vendit dhe Planin e Ahtisarit si dhe investimet socio-ekonomike që do të jenë në të mirë të qytetarëve dhe krijimit të mirëbesimit si vlerë e rëndësishme e shtetit të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Tahiri shtoi se në funksion të stabilitetit të rajonit është e rëndësishme të zbatohen politika të standardeve unike për minoritetet në të gjitha vendet e Ballkanit.

Ndërkaq, sa i përket dialogut, Tahiri tha se ky është një dialog teknik dhe se zbatimi i plotë i marrëveshjeve për lëvizjen e lirë dhe tregtinë e lirë mund të arrihet vetën me heqjen e barrikadave dhe strukturave paralele.

Ndërkaq, sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, të gjithë drejtoret e këtij forumi e përkrahen perspektiven e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit në Bashkimit Evropian, ndërsa u quajt si një ditë e rëndësishme nisja e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ata thanë se forumi i Vishegradit mund të jetë një model  për avancimin  bashkëpunimit rajonal. Ndërkaq u theksua rëndësia e takimeve të rregullta me këtë forum në të mirë të Kosovës dhe të rajonit në emër të kombinimit të përvojave.

Gjithashtu drejtoret politik në këtë forum përkrahen dialogun teknik dhe çmuan konstruktivitetin e palës kosovare dhe janë gati ta ndihmojnë këtë proces. Ndërsa ata kanë vlerësuar edhe përparimet e shtetit të Kosovës që ka bërë në shumë fusha.

“Ne i mirëpresim përvojat evropiane të këtyre shteteve  meqë  kanë kaluar rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se ne jemi në atë rrugë”. tha Tahiri.

Ajo ka përsëritur se vizioni dhe rruga  e Kosovës  është e qartë, integrimin në BE, NATO dhe mekanizma tjerë relevant.

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti  dje në takim drejtorët politik të Forumit të Vishegradit, të kryesuar nga Pavel Fisher – Drejtor Politik në Ministrin e Jashtme Ceke, Peter Miçalko – Drejtor Politik në Ministrin e Jashtme Sllovake, Peter Sztaray- Drejtor Politik në Ministrin e Jashtme të Hungarisë, si dhe Jaroslau Bratkieicz – Drejtor Politik në Ministrin e Jashtme të Polonisë.

Gjatë këtij takimi u fol për  perspektivën euro-atlantike të Kosovës, dialogun teknik dhe  rreth bashkëpunimit mes këtij forumi dhe Qeverisë se Kosovës. (LajmeShqip.com)