Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 18:30

Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë duke ju shtuar stendave të librarive në kryeqytet.

“Refuzimi i shkrimit” nga Moikom Zeqo. Ky botim vjen si pjesë e kolanës “Eseistikë”. Në të vërtetë është një përmbledhje ku përfshihen një numër tregimesh të mirëfillta, skica dhe proza eseistike, me një fjalë tekste që nuk mund të klasifikohen plotësisht në zhanre të caktuara, por që kanë një modernitet të theksuar. Janë proza të shkurtra që datojnë nga viti 1970 deri në vitin 2010″. ‘Refuzimi i shkrimit’ ka të përbashkët me librat e mëparshëm stilin e autorit, por në shumë kuptime është i ndryshëm dhe nuk është i ngjashëm me librat e mëparshëm. Është veçori e autorit pak kapriçioz dhe tejet kërkues për të shkruar libra sui generis. Libri i Moikom Zeqos është botuar nga “Dituria” dhe kushton 1000 lekë.

“Spastrimi” nga Sofi Oksanen. Ky roman është një përmbledhje e shkurtër e një kapitulli të harruar të historisë së Europës Lindore. Një roman me përmbajtje groteske dhe origjinale, ku njerëzit asfiksohen në dhoma të mbyllura, kufomat fshihen poshtë dërrasave të dyshemesë dhe motrat ndiejnë xhelozi për njëra-tjetrën. Edhe pse në qendër të romanit është tema e familjes, Oksanen prek dilema të mëdha, intrigën dhe dhunën seksuale si në luftë, ashtu edhe në paqe. Libri është një botim i “Dituria” dhe kushton 800 lekë.

“Rrëkeza” nga Kim Thuyitulli. Libri është në kuptimin e rrëkezës së lotëve dhe të vragës që lënë vijat e lotëve në këtë libër me kujtime, ese të një refugjateje vietnameze të imbarkuar mbi një gomone drejt Kanadasë. Kujtimet e saj bëhen shkak herë për t’u zbavitur, herë për t’u zhytur në mendime, duke u valëzuar midis tragjikes dhe komikes, midis Sajgonit dhe Granbit, midis prozaikes dhe shpirtërores, midis vdekjes së deformuar dhe jetës së vërtetë. “Rrëkeza” është botuar nga “Dritan” dhe kushton 500 lekë.

“Burrat që duam” nga Willy Pasini. Libri i autorit Pasini, psikiatër e psikolog na propozon një udhëtim në universin mashkullor për të kuptuar se si kanë ndryshuar bashkëshortët, të fejuarit e shokët në shekullin XXI, por në radhë të parë për t’u sugjeruar këtyre meshkujve të “destabilizuar” një rrugëdalje, e për t’i ndihmuar ata të gjejnë një përgjigje për dyshimet që i torturojnë, duke ripërkufizuar rolin e tyre. “Burrat që duam” është botuar nga “BelinaH” dhe kushton 800 lekë.