Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 14:00

Tiranë-Biznesi shqiptar i ka ndjerë efektet negative të 21 janarit, që sipas tij, goditën inisiativën për investime në një periudhë afatshkurtër, si dhe penguan vijimin e bashkëpunimit me investitorët e huaj, ndërsa shumë sipërmarrës të huaj refuazuan të studionin tregun shqiptar për inisiativa të reja.

Protesta e 21 janarit dëmtoi sipërmarrësit shqiptarë, sidomos ata që kërkonin partnerë të huaj, sepse sipas tyre erdhi në një moment kur imazhi i Shqipërisë ishte i përmirësuar dhe kur shanset për më shumë investime ishin më të mëdha.

“21 janari krijoi pasoja jo vetëm politike, por edhe sociale dhe ekonomike, të cilat i vuajtëm për një periudhë afatgjatë”, shprehen përfaqësues të dhomës së tregtisë dhe indusrtisë në vend.

Sipas tyre, gjatë ditëve në vijim të protestës së 21 janarit të vitit 2011, pati një ndryshim rrënjësor të sjelljes jo vetëm të partnerëve tanë, por edhe qytetarëve të thjeshtë duke anulluar fluturimet drejt Shqipërisë, apo duke shtyrë për një afat të pacaktuar bisedimet dypalëshe për bashkëpunim tregtar.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Enno Bozdo shprehet se 21 janari, përveç frenimit të ekonomisë lokale, impaktin më të madh e ka dhënë në përkeqësimin e e ndjeshëm të imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Dy misione biznesi të programuar nga Italia dhe Austria u anulluan, pasoja këto afatshkurtëra që mund të matet mbi bazë të informacioneve tona. Koston afatgjatë të kësaj tragjedia ndoshta skemi për t’a marrë vesh kurrë. E rëndësishme është fakti se duhet të gjithë të përpiqemi për të përmirësuar këtë imazh”, deklaroi Bozdo.

Kryetari i “Biznes Albania” Luan Bregasi, thekson se 21 janari pati një ndikim negativ në ekonominë vendase dhe në nivelin e investimeve të huaja. “Bursat e kompanive që operonin në Shqipëri ranë me 7-8 %. U desh shume kohë për të rimarrë veten”, thekson Bregasi.

Në këtë linjë qëndrojnë edhe përfaqësues të bizneseve të huaja në vend. Përfaqësues të dhomave të tregtisë britanike, amerikane apo franceze në vend theksojnë faktin se sipërmarrësit kërkuan informacione mbi situatën, informacione të cilat më pas u pasuan me shtyrjen e projekteve për një afat tjetër.

Një vit më parë opozita organizoi një demostratë para selisë së Kryeministrisë, gjatë së cilës humbën jetën 4 protestues. (LajmeShqip.com)