Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 10:30

Tiranë -Ndërsa opozita rikthehet sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të përkujtuar katër protestuesit që një vit më parë humbën jetën në demonstratën e 21 Janarit, Kryeministri Sali Berisha e konsideron “një ngjarje të rëndë e cila nuk mund të aministohet kurrë”.

Në një intervistë televizive, dje në mbrëmje, shefi i qeverisë shqiptare duke folur për ngjarjen e 21 janarit theksoi se “ky është një kapitull që nuk mbyllet kurrë pa hetim por mbyllet pasi të zbardhen të gjitha përgjegjësitë; të organizmit, të sponsorizimit, të vrasjeve, të dëmeve”.

Duke vënë në dukje se “deri tani organizatorët kryesorë komandojnë prokurorinë e shtetit”, Berisha është shprehur se e gjithë kjo ngjarje kishte një axhendë.

“Të gjithë ata që panë me qindra  e mijera gurë, që panë të sulmohej dera kryesore e kryeministrisë dhe të hapej me makinë , që panë të fluturonin shishet molotov por edhe plumba; e kanë të qartë se ajo ishte një axhendë dhe në gjithë këto pesë orë, kryetari i opozitës u instalua në godinën përkarshi me një megafon me besimin e verber se do të vinte dhe do të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime”, u shpreh Kryeministri duke bërë të ditur detajet e zhvillimeve të 21 janarit të një viti më parë.    

Kryeministri vijoi më tej duk pohuar se “kishin futur armë ne bodrumin e asaj ndërtese ku rrinte kryetari, tek dy kullat. Dhe se në fund çuan mesazh se do të sulmojnë me kallashnikov, dhe morën përgjigje se vend mbi tokë nuk do të gjeni nëse dilni qoftë edhe me një të vetëm”.

Sipas tij, “në të gjitha këto zhvillime, kreu i PS-së, Edi Rama i bëri me mbështetjen e fuqishme të atyre të cilët donin mandatin e dytë dhe e dinin se nga unë nuk do të propozoheshin.  Absolutisht, me mbështetjen totale të prokurores, të presidentit,etj. dihen tashmë.  Këto veprime u bënë në një koordinim makabër”.

Duke nënvizuar se e gjithë kjo ngjarje kishte si synim rrëzimin e qeverisë legjitime, Berisha tha se “organizatorët meritonin shumë më tepër se shkarkim, sepse ata të cilët u angazhuan në një veprimtari antikushtetuese , për të rrëzuar me forcë një  qeveri legjitime, për ata ligjet janë të qarta”.

Më tej, Berisha deklaroi se “ato dy ditë me Bamir Topin dhe Ina Ramën janë zhvilluar, jo nga unë, dhjetëra kontakte, dhe e kanë shitur dhe blerë njeri-tjetrin ata gjatë atyre dy ditëve nja 15 herë. Por problemi i tyre ishte se ishin bashkarisht në tavë”.

I pyetur se kush dha urdhër për të qëlluar, Kryeministri u shpreh se “në mënyrë kategorike dhe absolute as edhe një urdhër. Urdhëri ishte ky, që ai që do të hynte brenda ai nuk do të mund të dilte më, i vetmi urdhër. Rrethimi është atribut i gardës, ndërtesa do të mbrohej nga të gjithë punonjësit, ishim të gjithë në punë dhe këtu nuk mund të hynte njëri dhe ne ishim shumë të qetë”.

Sipas tij, nuk ka ligje në botën demokratike që kur nje ushtar i gardës gjuhet me tulla apo me gur, nuk i thotë: 1 qëllo në ajër: 2 në qoftëse vazhdon qëlloje tek këmbet: 3  qëlloje direkt. Këto janë të përcaktuara në ligjet e gardës të të gjitha vendeve demokratike”.

Berisha u shreh se edhe urdhëri për arrestimin e 6 drejtuesve të gardës ishte vazhdim i planit duke theksuar se “në bazë të ligjeve të vendit dhashë urdhër që të mbahej on hold, ka ligje që përcaktojnë këtë për shkak të detyrës, pse nuk ndodhi kjo pas 3 muajsh, pas 5 muajsh,pse nuk ndodhi ?”.

Në përfundim, Kryeministri Berisha ritheksoi se “kurrë ndonjëherë një institucion kushtetues nuk do të mund të pushtohet, do të mbrohet, do të mbrohet vetem do të mbrohet”. (LajmeShqip.com)