Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 07:30

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbrëmje, për rishkrimin e historisë së Shqipërisë, pasi sipas tij, “kjo shkencë dhe doktrinë është e lidhur më shumë se çdo gjë tjetër me politikën dhe për këtë arsye ka pasur fatkeqësinë të pësojë deformime e manipulime të mëdha dhe të pamerituara”.

I ftuar në emisionin “Debat” në Vizion Plus, Kryeministri Berisha u ndal te përmasat historike që ka 100 vjetori i pavarësisë, si dhe aktivitetet që po pregatit qeveria për festimin e denjë të këtij viti jubilar.

Sipas kryeministrit, “në këtë 100 vjetor shqiptarët janë të lirë kudo që ndodhen”. “Ne vijmë për herë të parë ndoshta në historinë tonë duke ndërtuar të ardhmen, sepse të ardhmen e ndërtojnë vetëm kombet e lira”, tha ai.

Kryeministri tha se në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit, do të bëhet edhe rikthimi i eshtrave të Ahmet Zogut. Sipas tij “kjo do të ndodhë gjatë muajve që vijnë dhe Ministria e Mbrojtjes është ngarkuar për këtë çështje”.

Ndërkohë, kryeministri tha se “mund të shqyrtohet edhe rikthimi i eshtrave të personaliteteve tona të tjera të shquara, të cilat për arsye tashmë të njohura kanë vdekur në mërgim, por që kanë dhënë kontribute të mëdha në historinë dhe në zhvillimet e vendit”.

Kryeministri i bëri thirrje gjithë shqiptarëve që këtë vit ta quajnë vitin e flamurit. “Mbajtja e flamurit nga qytetarët shqiptarë gjatë këtij viti në ballkonet e tyre dhe kudo, do të ishte një gjest i civilizuar dhe respekti ndaj  flamurit të tyre”, tha ai.

Për sa i përket ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar dhe stadiumit të ri të futbollit, në 100 vjetorin e pavarësisë, Berisha tha se “premtimi do të mbahet edhe pse nuk do të mund të priten shiritat këtë vit”. Kjo sipas tij, “pasi pavarësisht nga dëshira nuk mund të shkelen procedurat”.

“Nëse merr përsipër për të ndërtuar parlamentin dhe ecën duke shkelur transparencën, ky është shërbimi më i keq që i bën 100 vjetorit të pavarësisë së vendit”, tha ai.

Kryeministri informoi se firma e cila fitoi projektin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar ka kërkuar 10% të investimit total vetëm për projektin, ndërkohë që për ndërtimin e parlamenteve të tjerë janë marrë 5% ose 4.5%”.

Sipas tij “nuk do të jetë firma fituese ajo që do ta bëjë projektin por do të jetë firma e përzgjedhur si e dyta, e cila ka pranuar një çmim standard mesatar të projektit të zbatimit”. (LajmeShqip.com)