Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 20:00

Tiranë – Komedia “Kënaqësitë e tradhëtisë”, në regjinë e Najada Elmazit, rikthehet këtë fundjavë në Teatrin e Metropolit, salla “Çehov”.

Vepra e autorit rus Valentin Krasnogorov do të vijë në skenë nën interpretimin e aktorëve Eftiola Laçka dhe Helidon Fino. Elmazi ka përzgjedhur tre histori teatrore, që përfaqësojnë skena të ndryshme nga jeta e një çifti të dashuruarish. Tema që i bashkon këto histori është “kënaqësia” e tradhëtisë bashkëshortore. Eshtë një lloj enciklopedie absurde e shkeljes së kurorës, e sjellë në formën e farsës.

Ai dhe Ajo, ata nuk janë karaktere të përcaktuar. Në fakt, cili është ai? Dhe kush është ajo? Cilat janë marrëdhëniet e tyre? Këto pyetje nuk kanë marrë përgjigje. Nuk dimë as emrat e tyre.  Por gjëja kryesore është se të dy kanë rënë në dashuri dhe janë duke u  ballafaquar papritmas me nevojën për të marrë menjëherë vendime me rëndësi jetike për ta.

Komedia e Elmazit është shfaqur premierë në fillim të muajit dhjetor 2011-të, në Teatrin e Metropolit, me skenografi nga Beqo Nanaj dhe kostume nga Edlira Qyshka. Autori i veprës cilësohet si mjeshtër i paradoksit. Ai krijon me shkathtësi intrigën që nga minuta e parë e veprimit dhe e mban audiencën pezull deri në fund të aktit të fundit.