Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 18:30

Tiranë- Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi të premten se, do të bëhet drejtësi për 21 janarin dhe se kjo ngjarje nuk do të kalojë pa u hetuar.

“Partia Demokratike zotohet se kjo ngjarje nuk do të kalojë kurrë pa hetimin e plotë të organizatorëve, pagatorëve dhe sponsorizuesve të dhunës për marrjen e pushtetit, rrethanave dhe autorëve të viktimave dhe plagosjeve të 21 janarit 2011”, tha Paloka, gjatë një deklarate për shtyp.

Sipas tij, Prokuroria nuk ka bërë asnjë hetim për organizatorët dhe ka prishur provat për t’i shpëtuar ata nga hetimi. Ai akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama se donte të merrte pushtetin me dhunë.

“Një vit më parë, Edi Rama, në bashkëpunim me drejtues të papërgjegjshëm të disa institucioneve të vendit, do të zgjidhnin 21 janarin për të organizuar, me mercenarë të paguar, rrethimin, sulmin e dhunshëm kundër Këshillit të Ministrave, për përmbysjen e Qeverisë së zgjedhur me votën e lirë”, deklaroi Paloka.    

Sipas Palokës, për të realizuar këtë u përdor një video e manipuluar, e cila ishte prerë dhe ngjitur 28 herë. Kjo video, theksoi deputeti i PD-së, rezultoi të ishte e manipuluar dhe tërësisht një falsifikim.

“Më 21 janar pas 4 orë sulmesh mbeten të vrarë 4 protestues, por puçistët nuk e realizuan dot qëllimin e tyre”, nënvizoi Paloka, ndërsa garantoi qytetarët se drejtësia do bëhet dhe kjo ngjarje nuk do të kalojë pa u hetuar.

Sot, vijoi Paloka, pas një viti, përsëri Partia Demokratike u shpreh edhe njëherë ngushëllimet familjeve të viktimave dhe garanton ata dhe shqiptarët se, drejtësia do të bëhet.

Prokuroria politike, tha ndër të tjera Paloka, pjesë e skenarit të përmbysjes me dhunë të pushtetit legjitim të vendit, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hetim për organizatorët dhe bashkëpunëtorët e aktit të dështuar të përmbysjes së pushtetit me dhunë, por përkundrazi, ka prishur provat duke besuar se, ata do mund t`i shpëtojnë ligjit dhe drejtësisë për këtë vepër antikushtetuese.