Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 16:03

Në raportin për Perspektivat e Ekonomisë Botërore, Banka Botërore e renditi Shqipërinë si një ndër vendet me nevojën më të lartë për financim të jashtëm të ekonomisë.

Në total, nevoja për financim të jashtëm gjatë vitit 2012 parashikohet të jetë sa 21.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo shumë përfshin deficitin e llogarisë korrente të vendit, si edhe pagesat për borxhin e jashtëm të sektorit privat.

Shqipëria renditet e treta pas Libanit dhe Nikaraguas, përsa i takon nevojës për financim të jashtëm, në raport me prodhimin kombëtar.

Banka Botërore i vlerëson këto vende si më të ekspozuara ndaj rreziqeve, në rast se financimi nga tregjet e huaja financiare do të ndërpritej. Sipas hipotezës së ngritur nga ekspertët e Bankës, në rast të bllokimit të kreditit nga jashtë, shumë biznese do të detyroheshin të mbyllnin aktivitetin e tyre.

Ekspozimi i lartë i Shqipërisë ndaj një nevoje të lartë për financim nga jashtë buron kryesisht prej deficitit të lartë të llogarisë korrente, që sipas projeksioneve të Bankës Botërore në vitin 2012 do të jetë sa 11.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në thelb të problemit, qëndron dobësia strukturore e ekonomisë shqiptare, që konsumon shumë më tepër nga sa prodhon dhe, për të mbuluar importet e mallrave dhe shërbimeve, ka vazhdimisht nevojë për valutë të huaj.

Banka e Shqipërisë ka theksuar disa herë se ky pozicionim i sektorit të jashtëm është problemi më shqetësues i ekonomisë shqiptare.

Deri më sot, nevojat për valutë janë mbuluar falë remitancave dhe investimeve të huaja direkte, por në kushtet e krizës, gjasat janë që prurjet nga këto burime të bien. Zgjidhja e problemit do ishtë rritje e konkurrueshmërisë ekonomike dhe e prodhimit vendas.

Kjo, nga njëra anë, do të ulte nevojën për importe dhe, nga ana tjetër, do të rriste eksportet, çka do të ngushtonte deficitin e jashtëm të ekonomisë shqiptare. Por, nevoja ende shumë e lartë për financim të jashtëm tregon se Shqipëria nuk po arrin ta sjellë problemin më thelbësor të ekonomisë së vet në rrugën e zgjidhjes.