Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 14:22

Islamabad- Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se operativisti i lartë i al-Kaidës është vrarë gjatë një sulmi me aeroplan pa ekuipazh, në fillim të këtij muaji.

Zyrtarë të paemëruar u kanë thënë agjencive perëndimore të lajmeve se sulmi brenda Pakistanit, më 10 janar, e kishte për cak personin, Aslam Avan, i përshkruar si “planifikues i jashtëm i operacioneve” për al-Kaidën. Zyrtarët e Pakistanit nuk kanë mundur të konfirmojnë se Avan ishte vrarë nga sulmi i aeroplanit pa ekuipazh në provincën kufitare, Vaziristani Verior.

Ky ishte njëri nga sulmet e para në afro gjashtë javë, pasi forcat e Shteteve të Bashkuara gabimisht i kishin vrarë 24 kufitarë pakistanezë. Kjo shkaktoi krizë në marrëdhëniet Shtetet e Bashkuara – Pakistan, që kishte përshkallëzuar në muajin maj të vitit të kaluar, kur forcat speciale amerikane e vranë Osama bin Ladenin në Pakistan.

Ndërkohë, ministrja e jashtme e Pakistanit, Hina Rabani Khar, thotë se raportet me Shtetet e Bashkuara mbesin në pritje të “rivlerësimit” pas sulmit ajror kufitar të NATO-s. Ajo ka thënë sot se derisa “procesi i rivlerësimit të mos kompletohet, ne nuk mund ta fillojmë riangazhimin” me Uashingtonin.