Tiranë- Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë analizës vjetore të punës së Policisë së Shtetit, duke vlerësuar pozitivisht punën e kryer nga ky institucion, nënvizoi se “policia është rritur profesionalisht, duke pasur si prioritet mbrojtjen e institucioneve dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale”.
Ai vuri në dukje angazhimin e plotë të policisë në zgjedhjet e 8 majit, duke përballuar çdo situatë.
Ndërsa, duke iu referuar ngjarjeve të një viti më parë, në 21 janar 2011, ministri Nishani vlerësoi se policia zbatoi misionin e saj për të mbrojtur institucionet.
“Në ngjarjet e 21 janarit të vitit të kaluar, kur u sulmuan dhunshëm institucionet e shtetit, dinjiteti i shtetit, jo vetëm u tregua performanca e policisë në mbrojtje të shtetit, por edhe realizimit të detyrës përmes nivelit të lartë profesional”, u shpreh Nishani.
Ai vlerësoi në veçanti rritjen e nivelit të zbulueshmërisë së krimit të vrasjes si dhe të ngjarjeve të vjetra, ku gjatë vitit të shkuar u zbuluan 300 prej tyre. Nishani vlerësoi rritjen e kontrollit dhe menaxhimit të kufijve që po realizohet me përpikmëri, ashtu siç është kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë.
Ministri tha se “sfidat e Policisë së Shtetit nuk rreshtin asnjë ditë dhe nuk përfundojnë asnjëherë, por Policia ka dëshmuar se është në gjendje të përballojë të gjitha problematikat, 24 orë në 24, pasi për të nuk ka dallim nëse është ditë apo natë, nëse është ftohtë apo ngrohtë, por ka për qëllim zbatimin e ligjit në të gjitha rastet, ku do që te jetë, në mal, fushë, ajër apo det”.
Nishani tha se përkrah kësaj ecurie të mirë, “ne jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë probleme, në infrastrukturë etj, të cilat, me vullnet dhe një bashkëpunim të plotë me të gjithë aktorët e huaj dhe vendas, do të mund të zgjidhen përfundimisht”. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 January 2012 09:00