Lajme Shqip Thursday, 19 January 2012 19:51

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi sot në një takim partitë aleate të opozitës, në qendër të të cilit ishte aktiviteti homazh i planifikuar nga opozita për nder të viktimave të 21 janarit.

Përfaqësuesi i opozitës së bashkuar, Preç Zogaj, në një prononcim për mediat pas takimit tha se, “sot partitë aleate u mblodhëm për 21 janarin, pasi do të organizojmë një homazh për të kujtuar katër protestuesit e vrarë vitin e kaluar në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikën”.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë të marrin pjesë në këtë homazh në mënyrë që me praninë e tyre të nxisin Prokurorinë për zbardhjen e tragjedisë dhe vendosjen e drejtësisë për shlyerjen e kësaj njolle historike për demokracinë shqiptare”, tha Zogaj.

Përfaqësuesi i opozitës së bashkuar, Preç Zogaj, përshëndeti gjithashtu në emër të partive aleate qëndrimin e trojkës, e cila në deklaratën e djeshme i konsideroi të pafajshëm të vrarët në këtë demonstratë.

Homazhet, vijoi ai, janë për të nderuar kujtimin e të vrarëe dhe vetë prania e njerëzve flet për domosdoshërinë për zbardhjen e kësaj ngjarje.

“Ata ishin me të vërtetë të pafajshëm, i vetmi faj i tyre ishte se morën pjesë në një demonstratë të thirrur nga opozita legale e Shqipërisë për të protestuar kundër papunësisë varfërisë dhe padrejtërisë”, tha Zogaj. (LajmeShqip.com)