Tiranë-Tregtia është sektori që ka produktivitetin më të lartë të punës në ekonominë shqiptare.
Me produktivitet të punës, nëkuptohet xhiroja apo shifra e afarizmit për çdo të punësuar dhe ky është një tregues kyç për konkurrueshmërinë e ekonomisë së një vendi.
Sipas Institutit të Statistikave, për sektorin e tregtisë, produktiviteti vjetor është 7.9 milionë lekë për çdo punonjës, ndërkohë që ndër sektorët prodhues i pari renditet ndërtimi me 5.7 milionë lekë.
Produktiviteti i punës shfaqet më i ulët për sektorin e shërbimeve, ku xhiroja për çdo të punësuar është 1.4 milionë lekë në vit. Përtej krahasimit mes sektorëve, në tërësi produktiviteti në ekonominë shqiptare rezulton në rënie.
Ky është përfundimi i një studimi të disa ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, i kryer gjatë vitit 2011. Studimi tregon se, produktiviteti i punës në ekonominë shqiptare ka arritur pikun në vitin 2005, ndërsa më pas ka ardhur në rënie.
Por, vlen të theksohet se rënia e produktivitetit dhe rritja e kostove për njësi prodhimi ka ardhur edhe si rezultat i uljes së punës në të zezë dhe forcimit të masave administrative për deklarimin e pagave.
Ulja e informalitetit ka ndikuar sidomos në sektorë të tillë si ndërtimi. Sipas studimit, prapa disavantazheve konkurruese të ekonomisë shqiptare ndaj ekonomive rajonale dhe europiane, qëndrojnë mbi të gjitha diferencat e dukshme në produktivitetin e punës.
Rritja e saj, do të ndihmonte në mënyrë të qenësishme në krijimin e përparësive konkurruese të ekonomisë në termat e kostove të punës.
Kjo, do të ndihmonte njëherësh në kontrollin e presioneve inflacioniste të nxituara nga rritja e pagave dhe e kostove të punës, për njësi të prodhuar.
Studimi rekomandon rritjen e inovacionit dhe teknologjive moderne në sektorin e prodhimit, por edhe një monitorim të kujdesshëm të nivelit të pagave, duke e mbështetur rritjen e tyre pikërisht në rritjen e produktivitetit të punës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 20:00