Lajme Shqip Thursday, 19 January 2012 18:00

Tiranë-Ndërmjetësimi financiar në vendet në zhvillim duhet të mbështetet më shumë te bankat me kapital vendas.

Në një raport për perspektivat e ekonomisë globale, Banka Botërore këshillon që sistemet bankare të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe të Amerikës së Jugut duhet të ulin varësinë e tyre nga bankat e mëdha shumëkombëshe dhe nga tregjet e huaja.

Sipas analizës së Bankës Botërore, me shpërthimin e krizës financiare, grupet e mëdha bankare janë detyruar të ulin ose të ndërpresin linjat e kredisë për filialet e tyre në vendet në zhvillim.

Ndryshe nga vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, Shqipëria është më pak e varur nga financimet nga jashtë.

Kreditimi në ekonominë shqiptare mbështetet kryesisht te depozitat e brendshme të publikut.

Raporti mes kredive dhe depozitave është rreth 61%. Ky problem ekziston vetëm për banka të veçanta, kryesisht ato greke, që zgjerimin në tregun shqiptare e mbështetën në linjat e kredisë të marra nga bankat mëmë.

Banka Emporiki e ka raportin mes kredive dhe depozitave në nivelin 192%, ndërsa NBG Bank 104%. Por edhe këto banka tashmë e kanë kuptuar rrezikun e varësisë së lartë nga burimet e huaja, ndaj në vitet e fundit janë përpjekur të rrisin nivelin e depozitave të publikut.

Kështu, Tirana Bank, e ka ulur nivelin mes kredive dhe depozitave në 83%, nga mbi 100% që e kishte deri në vitin 2009. Shqetësim tjetër, për ekspertët e Bankës Botërore, është mundësia që grupet e mëdha bankare të ulin kapitalin e filialeve të tyre në vendet në zhvillim, pranë niveleve që nuk lejojnë mbulim të mjaftueshëm nga risku i kredisë.

Edhe për sa i takon kapitalizimit, sistemi bankar shqiptar është më pak i ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme. Aksionerët e bankave të huaja nuk mund të ulin kapitalin pa miratimin e Bankës së Shqipërisë.

Në çdo, rast kapitali i bankës nuk mund të jetë më pak se 12% e vlerës së aseteve në risk. Sipas të dhënave më të fundit, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar është 15.1%.

Gjatë vitit 2011, disa banka të veçanta, që e kishin këtë tregues pranë vlerave minimale të lejuara, përmbushën kërkesën e Bankës Qendrore për rritje kapitali. (LajmeShqip.com)