Lajme Shqip Thursday, 19 January 2012 10:50

Tiranë – Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës që kanë përfshirë të gjithë vendin javën e fundit kanë bërë që qarkullimi i mjeteve në disa prej akseve rrugore të kryhet me vështirësi, sidomos në zonat veriore dhe juglindore të vendit.

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, në qarkun e Dibës, në aksin kryesor vazhdon trajtimi me kripë dhe granil në vendet ku ka ngricë. Në aksin Q.Bualli – Krastë dhe Ura e Çerenecit – Q.Dragalicë – Klenjë qarkullimi kryhet me zinxhirë. Segmenti në vazhdim është i bllokuar. Vazhdon puna për normalizimin e situatës.

Në qarkun e Elbasanit, aksi K/Labinot Fushë-Monument Bizë është e kalueshme deri në Gur të Zi, ndërsa segmenti në vazhdim me zinxhirë. Në akset e tjerë nuk ka probleme për qarkullimin. Vendet me ngrica janë trajtuar me kripë.

Në qarkun e Korçës, gjatë natës ka patur temperatura shumë të ulta, por nuk kanë krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve. Punohet për ndjekjen e situatës në rrugë kryesisht në ato malore dhe në qafat e maleve. Në rrugën e Dardhës, në pjesën fundore qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Ndërkohë, në qarkun e Kukësit, në aksin Topojan- Shishtavec qarkullimi kryhet me zinxhirë. Po punohet nga Drejtoria Rajonale me të gjitha mjetet për mbajtjen e situatës nën kontroll.

Në qarkun e Shkodrës, në aksin Q.Mali-Fierzë si pasojë e dëmtimit të urës pranë Dardhës, qarkullimi është i mundur vetëm për mjetet e vogla me një kalim. Është vendosur sinjalistika përkatëse. Në akset e tjerë qarkullimi kryhet pa probleme.

Në qarkun e Gjirokastrës, në Qafë Muzinë dhe në Ujin e Ftohtë për shkak të ngricave është hedhur kripë dhe qarkullimi kryhet normal.

Në qarkun e Tiranës, në aksin Q.Mollë-Bizë ka ngrica në rrugë, për pasojë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Në akset e tjerë nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve.

Ndërkohë, sipas informacionit më të fundit nga DPRR-ve, në rrugën Milot-Kalimash, në zonat ku ka prezencë ngrice, është shpërndarë kripë dhe qarkullimi i mjeteve kryhet pa probleme.