Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 20:30

Prishtinë-Zv/kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, Michael Davenport, i shoqëruar nga ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff.

Në takim u bisedua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, rrjedhat e dialogut teknik dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës, njoftohet nga zyra e zv/kryeministres Tahiri.

Po ashtu një pjesë e takimit iu kushtua dialogut teknik dhe aty u fol për arritjet dhe sfidat e dialogut.

Gjatë takimit u vlerësua rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve të arritura pasi që në këtë mënyrë do të përfitojnë edhe qytetarët në kualitetin e jetës së tyre.

Në këtë kuadër, Tahiri tha se ky dialog është vetëm teknik në kuadër të standardeve evropiane për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal. Ajo përkujtoi se ka pasur procese paqësore të më hershme në Rambuje dhe në Vjenë, porse Serbia ka dështuar të bëjë marrëveshje.

Duke folur për bashkëpunimet rajonale, Tahiri tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe këtë realitet duhet ta pranojë Serbia. Zëvendëskryeministrja Tahiri shtoi se në funksion të stabilitetit të rajonit është e rëndësishme të zbatohen politika të standardeve unike për minoritetet në të gjitha vendet e Ballkanit. 

Ndërkaq, Ambasadori Davenport premtoi mbështetjen e vendit të tij për shtetin e Kosovës duke u angazhuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushat e interesit të ndërsjellë. Ai po ashtu theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbështet perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Më tej ai vlerësoi rëndësinë e dialogut teknik duke ftuar të dyja shtetet që të mbeten të përkushtuara për arritjen e rezultateve sa më të mëdha në këtë dialog, në funksion të fqinjësisë së mirë dhe për një të ardhme më të mirë për rajonin. (LajmeShqip.com)