Tiranë- Shqipëria do të rrisë kapitalin e saj në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB). 
Banka që nga viti 2002 ka financuar në vendin tonë 9 projekte të ndryshme sociale, me një vlerë totale prej rreth 90 milionë euro dhe financimet janë dhënë në formë kredie me interesa të ulëta. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar në unanimitet rritjen e kapitalit, ku për Shqipërinë parashikohet derdhja e një shume prej 4,75 milionë euro.
Rritja e kapitalit nuk prek kostot e buxhetit aktual, pasi kjo shumë do të shlyhet në vitet në vijim. Anëtare të bankës janë thuajse të gjitha shtetet europiane dhe Shqipëria ka aderuar në këtë banke që nga viti 1999 duke nënshkruar kuota me vlerë kapitali prej 8 milionë euro.
Pas konfirmimit të pjesëmarrjes së të gjitha shteteve në rritjen e kapitalit të bankës, kjo rritje do të arrijë në 3.5 nga 3.3 miliardë euro që është aktualisht.
Wednesday, 18 January 2012 15:36