Tiranë- Megjithë propagandën e Bankës së Shqipërisë, shqiptarët vazhdojnë të preferojnë kredinë në valutë. Të dhënat tregojnë se kreditimi në valutë të huaj, kryesisht në euro, vazhdon të jetë dominues në ekonominë shqiptare. 
Në fund të Nëntorit të vitit 2011, kredia në valutë zinte 67% të totalit, me një rënie shumë të lehtë krahasuar me vitet e mëparshme. Banka e Shqipërisë ka kërkuar vazhdimisht shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit, duke këshilluar që kredia të merret në monedhën që huamarrësi përfiton të ardhurat.
Për të frenuar kreditimin në valutë, Banka Qendrore ka ndërmarrë edhe disa masa rregullatore, të cilat ju imponojnë bankave që kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit të kenë një mbulim më të lartë me kapital.
Vetëm pas këtyre masave, bankat filluan seriozisht të orientonin kredimarrësit tek huatë në lekë, por përsëri kjo nuk ka mjaftuar për të përmbysur raportet mes monedhave. Publiku vazhdon të preferojë euron, për disa arsye. Së pari, normat e interesit të kredive në lekë janë më të larta.
Megjithëse në vitet e fundit diferencat janë ngushtuar, kreditë në euro janë, në vlerë nominale, më të lira se ato në lekë, për shkak të diferencës së konsiduerueshme që ekziston mes normës së bazë të dy monedhave.
Arsye tjetër që i shtyn shqiptarët të marrin kredi në euro është shkalla e lartë e përdorimit të monedhës së përbashkët europiane në transaksionet e brendshme. Shitjet bëhen në euro në shumë sektorë ekonomikë, që nga pasuritë e paluajtshme e deri tek universitetet apo spitalet private.
Shumica e vendeve, përfshi rajonin e Ballkanit, kanë kufizime të rrepta ligjore për sa i përket përdorimit të valultave të huaja për shit-blerjet e brendshme. Në Shqipëri, nuk ekzistojnë të tilla kufizime.
Kjo ka bërë që përdorimi i euros në ekonomi të kalojë caqet e natyrshme, që rrjedhin nga marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me vendet e Bashkimit Europian.
Wednesday, 18 January 2012 15:33