Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 13:35

Athinë– Jorgos Papandreu nuk planifikon që të heqë dorë nga pozita e liderit në Lëvizjen e përgjithshme greke socialiste PASOK, pohon në një koment gazeta athinase “Etnos”.

Gazeta konsideron se të ashtuquajturit delfinë – pretendentë për pozitën e liderit në parti, kanë pësuar humbje të plotë në tentimet që ta heqin Papandreun gjatë mbledhjes dyditore të këshillit kombëtar të PASOK-ut, të mbajtur fundjavën e kaluar, duke nënvizuar se ky organ partiak edhe më tej është nën kontrollin e tij.

Taktika e socialistit Papandreu, më saktësisht mbijetesa e tij politike, u tregua mjaftë e suksesshme. Ai jo vetëm që ka marrë edhe tre muaj të pozitës së liderit të PASOK-ut, të prezantuar edhe në kabinetin e tanishëm të koalicionit të kryeministrit Lukas Papadhimos, por de fakto nuk mori kurrfarë obligime.

Lëvizjet e Papandreut kanë një qëllim të vetëm, ndërsa ato janë që të mbetet sa është e mundur më gjatë në vendin e kryesisë në parti… Ndërsa, kjo do të thotë se edhe gjatë do ta shikojmë Papandreun në këtë pozitë, ndërsa nuk përjashtohet që ta shikojmë se si i udhëheqë socialistët edhe në zgjedhjet parlamentare në muajin prill, komenton gazeta “Etnos”.

Në fundjavën e kaluar Këshilli kombëtar i PASOK-ut vendosi që në muajin mars të zgjedhë lider të ri, më saktësisht para zgjedhjeve parlamentare, të cilat tani për tani janë planifikuar për më 9 prill. Kjo ndodhi me propozimin e vet Papandreut, i cili pak para saj kumtoi se do të tërhiqet nga pozita e liderit dhe se nuk do të kandidohet për kryeministër.

Kongresi i rregullt i socialistëve është caktuar për në muajin qershor.

Zgjedhja e liderit të ri të PASOK-ut parashikohet të ndodhë pas përfundimit të negociatave, të cilat qeveria e koalicionit i zhvillon me kreditorët privat për çregjistrimin e një pjese të debisë greke dhe pas arritjes së marrëveshjes së re, sipas së cilës Greqia nga BE-ja dhe FMN-ja do të merr hua të dytë në vlerë prej 130 miliardë euro, dedikuar për tejkalimin e krizës debitore.