Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 13:23

Prishtinë- Në Kuvendin e Kosovës gjatë këtij viti mund të dorëzohen dy drafte të ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Duke parë se i mungon Kosovës një ligj i tillë, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të angazhojë ekspertët e saj për të punuar këtë ligj. Ndërkohë, edhe Ministria e Drejtësisë këtë ligj e ka vënë ndër prioritetet e saj për këtë vit.

Glauk Konjufca nga kjo lëvizje mendon se një ligj i tillë është zvarritur qëllimisht, për faktin se, sipas tij, asnjëherë deri më tani nuk ka pasur ndonjë shpjegim të hollësishëm se nga e ka prejardhja e pasurisë së shumicës së politikanëve dhe nëse është ligjore apo jo.

Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, sipas Besnik Ramadanajt nga Instituti Demokratik i Kosovës, është një premtim i parealizuar i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Kuçi premton se ligji do të përgatitet së shpejti, kurse për vonesën, fajëson ekspertët ndërkombëtarë.

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit vitin e kaluar ka ngritur dyshime për pasurinë e disa zyrtarëve të Kosovës, për të cilët ka vlerësuar se janë pasuruar “brenda natës”.