Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 09:32

Tiranë (PLOTESUAR 18 janar, 11:15) Ngrihet Komisioni Hetimor për punën e nënkryetarit të Keshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Kërkesa e deputetëve demokratë mori vetëm votat e maxhorancës, pasi deputetët e opozitës braktisën sallën para votimit, ndërsa punimet e sotme të Komisionit të Ligjeve u shoqeruan me debate të ashpra.

Kreu demokrat i ligjeve, Ilir Rusmali, i cili thirri mbledhjen e komisionit dy ditë pasi kërkesa e deputetëve të mazhorancës u bë e njohur nga kryeministri Sali Berisha, ka vënë në dijeni për nisjen e procedurës edhe zotin Spahiu, sepse kjo është një kërkesë e rregullores së Kuvendit, që detyron të dëgjojë anëtarin e një organi kushtetues për të cilin kërkohet shkarkimi, të dëgjohet para komisionit, përpara se ai t’i dërgojë parlamentit raportin për ngritjen ose jo të komisionit hetimor.

Sipas kërkesës së demokratëve, komisioni hetimor do të ketë tre javë kohë për të verifikuar shkeljet e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në ushtrimin e detyrës së tij.

Kreshnik Spahiu ishte i pranishem ne mbledhje, por u largua me kerkese te kryetarit te Komisionit.

Spahiu ka deklaruar se procedura që po ndiqet për shkarkimin e tij është antikushtetuese, pasi nuk është Kuvendi që e shkarkon nënkryetarin. Në këto momente ndërhyrii kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili tha se Spahiu nuk mund të flasë për substancën, d.m.th për hetimin, por vetëm për procedurat. Rusmali i kujtoi Spahiut se atë mbledhje e drejtonte ai. Në këto momente Spahiu deklaroi se mbledhja nuk mund të drejtohet me presione. Rusmali kërkoi pesë minuta pushim për tu larguar Spahiu dhe i shkëputi mikrofonin. Ky i fundit u ngrit në këmbë dhe u largua duke thënë se askush nuk mund ta hiqte nga detyra me presion.

Kjo cështje vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin për organizimin dhe funksionimin e KLD-së, ku nënkryetari nuk shkarkohet nga Kuvendi. C’lidhje ka qeveria me një institucion të pavarur? C’lidhje ka qeveria me gjyqësorin? Si mundet që në vitin 2012 qeveria të kërkojë të kontrollojë dhe godasë drejtësinë”, deklaroi Spahiu.

Saphiu e cilësoi këtë kërkesë si një sulm të pastër politik. “Klasës politike pushka top le t’i bëhet, por ta harrojë se do të kontrollojë drejtësinë. Viti 2012 konsiderohet si viti i fundit të botës, por ky do të jetë fundi i asaj klase politike që mendon se do të vendosë kontrollin dhe monopolin mbi shoqërinë shqiptare”, theksoi Spahiu. (TCH)

*******************************

Komisioni parlamentar i Ligjeve do të mblidhet paraditen e së mërkurës për të nisur procedurat për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Kreshnik Spahiu. 
Komisioni do të mblidhet një ditë pasi kryeministri Sali Berisha bëri të ditur kërkesën e maxhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor, që do të shqyrtojë procedurat e shkarkimit të Spahiut nga posti i nënkryetarit të KLD-së. 
Sipas kërkesës së demokratëve, Kreshnik Spahiu ka “devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin e drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur”.