Lajme Shqip Tuesday, 17 January 2012 18:30

Tiranë- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të martën vetëm me votat e maxhorancës aktin normativ i cili parashikon shtyrjen e afatit për ligjin e faljes deri më 31 mars 2012.

Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj, i pranishëm në komision, theksoi se shtyrja e afatit vetëm për rivlerësimin e pasurive erdhi si rezultat i një fluksi shumë të lartë të qytetarëve gjatë muajit dhjetor.   

Opozita e kundërshtoi shtyrjen e afatit për ligjin e faljes me arsyetimin se një process i tillë nuk mund të zgjasë pafundësisht.

Biznesi kërkoi një shtyrje të afatit të ligjit të faljes të paktën me gjashtë muaj nga 3 që u miratua në komision. Afati i fundit për këtë proces ka qenë 31 dhjetori i 2011.

Të ardhurat e arkëtuara në buxhetin e shtetit në zbatim të ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjesë të borxhit tatimor dhe doganor” deri në fund të muajit nëntor, sipas ministrisë së Financave, llogariten 663 milionë lekë.

Sipas statistikave, nga tatimi në burim për legalizimin e shumës në të holla nga individët, janë arkëtuar 2.8 milionë lekë.

Ndërsa të ardhurat e arkëtuara në buxhet nga rivlerësimi i pasurisë së individëve, burim ky i tatuar me 1 %, rezulton se janë arkëtuar 629.9 miliardë lekë.

Ndërkohë, nga rivlerësimi i pasurisë së personave juridikë, që llogaritet nga një tatim prej 3 %, janë mbledhur 2.1 milionë lekë. (LajmeShqip.com)