Qytetarët e Kosovës pritet që së shpejti të pajisen edhe me letërnjoftime biometrike. Kjo në bazë të pohimeve të zv/ministrit të brendshëm Izmi Zeka, i cili konfirmoi se është vetëm çështje kohe fillimi i prodhimit të letërnjoftimeve biometrike.
Zv/ministri Zeka tha se janë bërë të gjitha pregatitjet e duhura dhe ka mbetur vetëm çështja e ndjekjes së proçedurave të tenderave. Sipas tij, ministria është e kujdeshme që punën për prodhimin e letërnjoftimeve biometrike ta marrë kompania e cila ka përvojë në këtë drejtim, duke ditur ndjeshmërinë që kanë këto dokumente.
“Për çështjen e tenderit, do të shohim se ku do të prodhohen, por do të shikojmë edhe mundësinë që ta bëjmë me një firmë që ka përvojë sipas standarteve evropiane. Është mjaft e rëndësishme që të ketë kualitet.”
Zv/Ministri i Integrimit Evropian, Gëzim Kasapolli thekson se letërnjoftimet biometrike së shpejti do të jenë në duar të qytetarëve të Kosovës.
Letërnjoftimet, ndonëse nuk janë kusht për procesin e liberalizimit, konsiderohen si një element shumë i rëndësihëm në procesin e liberalizimit të vizave, i cili zyrtarisht pritet të fillojë të enjten me vizitën e komisioneres evropiane për çështje të brendshme, Sesilia Malmstrom.
Tuesday, 17 January 2012 15:10