Për një kombinim perfekt rregullat janë të thjeshta: ju thjesht duhet të kombinoni ngjyrën dhe modelin e kapuçit, ngjyrën e shallit dhe të dorezave me pallton që do të vishni dhe pse jo me pjesën tjetër të rrobave.
Është koha e përshtatshme të mendojmë për një ndryshim të detajeve që ndodhen në garderobën tuaj. Dimri ka trokitur në derë po ashtu edhe në ditët e ftohta. Aksesorët tuaj më të dobishëm për këtë stinë të ftohtë janë kapuçi, shalli dhe dorezat.
Këtë vit është me të vërtetë e vështirë të zgjedhësh nga shumëllojshmëria e modeleve dhe e ngjyrave!
Kudo që ndodheni do ju shërbejnë më së miri, do t’ju mbajnë ngrohtë, por mjafton që të kombinoheni ëmbëlsisht me pjesën tjetër të veshjes tuaj.
E nëse dini të thurrni dhe të qepni, mundeni edhe t’i bëni vet, një ngjyrësh ose të kombinuar me shumë ngjyra, si dhe të vendosni ndonjë detaj që do t’i zbukurojë dhe do t’i bëjë edhe më unik.
Kapuçat e leshtë në formë këpurdhe i përshtaten shumicës së femrave. Këtë vit vishen kapuçat me thurrje të trashë dhe interesante, të cilat mund të kombinohen me ngjyra të ndryshme.
Kemi edhe kapuçat rusë që janë gjithashtu mjaft të preferuara, por më tepër pëlqehen nga zonjat në moshë pasi japin një pamje madhështore dhe shumë elegante. Tani mund të gjenden gati në çdo dyqan me shumëllojshmëri ngjyrash, nga ato “false” deri te gëzofi i vërtetë.
Shalli
Shallet e ndryshme kohëve të fundit janë bërë pjesë e pandarë e garderobës dimërore. Por, janë disa rregulla të cilat duhet t’i respektoni gjatë kombinimit me veshjen tuaj.
Nëse pallton e keni prej materiali të trashë ashtu duhet të jetë edhe shalli, nëse pallton e keni nga materiali i hollë elegant, edhe shalli duhet të jetë i tillë.
Dorezat e thurrura dhe të lëkurës
Sa herë ju ka ndodhur të thoni “Uf, si i harrova dorezat sot?!”… Mos lejoni që e njëjta gjë të përsëritet edhe këtë vit. Mos harroni që, nëse dorezat tuaja janë lëkure duhet të kombinohen me rroba elegante dhe shik. Ndërsa dorezat e thurura mund të kombinohen me veshjet sportive. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 January 2012 12:04 

