Lajme Shqip Tuesday, 17 January 2012 10:14

Shkup- Këshilli Organizativ për shënimin e 100 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë sot do të realizojë aktivitetin e parë të këtij Këshilli, zyrtarisht do të vendoset gurthemeli i Sheshit Skënderbeu në Shkup.

Në këtë manifestim do të marrin pjesë Kryebashkiaku i Tiranës Lulëzim Basha, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferi, ministra, deputetë dhe përfaqësues të OJQ-ve dhe të tjerë.

Data e sotme 17 janar, përkon me përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, ku në monumentin e tij do të vendosen lule të freskëta, 30 vjetorin e rënies së Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës si dhe 30 vjetorin e themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës që njihet si themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Organizator i manifestimit është Këshilli Organizativ për shënimin e 100 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë, ndërsa bartës dhe realizues të këtij manifestimi janë Komuna Çair dhe Lëvizja ZGJOHU! (LajmeShqip.com)