Lajme Shqip Tuesday, 17 January 2012 08:30

Mitrovicë – Si pasojë e bllokimit të rrugëve nga bora të hënën nuk është mbajtur mësimi në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë të Leposaviçit.  

Banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviçit, thonë se rrugët e fshatrave që lidhen me magjistralen Leposaviç-Mitrovicë nuk janë duke u mirëmbajtur prej askujt dhe rruga  gjatë vikendit është bllokuar nga bora.  

Drejtoresha e shkollës, Ferdane Voca Shabani, tha se të hënën autobusi ka arritur prej Mitrovice deri në rrugët rurale, ku është bllokuar nga bora. “Për shkak të mosmirëmbajtjes së rrugës të fshatit bora ka bllokuar ato gjatë vikendit dhe ka qenë e pamundur që të lëvizet me autobusë”.

Si pasojë, tregon ajo, mësimdhënësit nuk kanë arritur në shkollë dhe nuk është mbajtur mësimi për nxënësit prej klasës së pestë deri të nëntën. Sipas saj, shumica e stafit të mësimdhënësve udhëtojnë nga Mitrovica dhe kjo ka bërë që problemet për funksionimin normal të jenë të mëdha për të problemeve me lëvizje.

Në anën tjetër, banorët thonë se kjo situatë ka vështirësuar tejmase jetën e tyre. Lulzim Hetemi nga Bistrica, thekson se përveç problemeve nga barrikadat tash janë duke u përballur me vështirësi edhe nga bora, të cilën nuk e pastron askush nga rrugët e tri fshatrave shqiptare.

Ai tha se rrugët brenda fshatit një ditë janë pastruar nga KFOR-i, ndërsa Komuna e Leposaviçit nuk ka ndërmarrë asnjëherë asgjë në këtë drejtim. “Gjatë muajve të verës nuk kemi mundur të qarkullojmë për shkak të barrikadave, ndërsa tash jemi duke u përballuar edhe me problemet si pasojë e borës”.

Ai tregon se javën e kaluar disa herë autobusi ka qarkulluar nga Mitrovica për në fshatrat e tyre nëpërmjet Zveçanit me përcjellje  të policisë. Megjithatë, sipas tij, barrikadat në rrugë dhe njerëzit pranë tyre vazhdimisht i provokojnë banorët që udhëtojnë me autobus. Thotë se kjo situatë ka rënduar shumë jetën e banorëve, meqë kanë mbetur shumë të izoluar.

Hetemi thotë se rruga malore është në gjendje shumë të keqe dhe është shumë vështirë të kalohet. “Ajo rrugë kalohet shumë me vështirësi verës, përderisa tash gjatë dimrit vetëm me ndonjë traktor apo automjet të përshtatshëm për terrene malore”. (LajmeShqip.com)