Prishtinë-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në hapjen zyrtare të Samitit Botëror për të Ardhmen e Energjetikës, që po organizohet në patronazhin e sheikut Mohamed bin Zayed al Nahyan në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe në të cilin po marrin pjesë përfaqësues të mbi 140 shteteve.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë samit, Presidentja Jahjaga zhvilloi një varg takimesh. Ndër të tjera ajo u takua me Sekretarin e Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, kryetarin e Abu Dhabit, sheikun Mohamed bin Zayed al Nahyan, disa ministra të Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, udhëheqës ushtarakë të këtij vendi që kanë shërbyer në Kosovë si dhe përfaqësues nga shumë shtete të tjera.
Presidentja Jahjaga, në takimet e saj, i njohu bashkëbiseduesit me gjendjen e përgjithshme dhe arritjet në vend. Ajo theksoi se vendet mike duhet të ndihmojnë edhe më tej në njohjen e shtetit të Kosovës. Gjithashtu, ajo bëri thirrje për bashkëpunim ekonomik dhe për investime në Republikën e Kosovës, e cila disponon me resurse të shumta në të gjitha fushat.
Presidentja Jahjaga gjithashtu, në kuadër të samitit, bisedoi edhe me një numër të madh përfaqësuesish të kompanive të fushës së energjetikës dhe i inkurajoi ata që të investojnë në Kosovë, ku energjia është një fushë që ofron mundësi të mira investimi. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 January 2012 18:01