Lajme Shqip Monday, 16 January 2012 15:29

Prishtinë-25 organizata joqeveritare protestuan sot para ndërtesës së qeverisë kundër përdorimit tw tepruar të forcës nga policia e Kosovës gjatë protestës së të shtunës

Me një pankartë, ku shkruan “qeveria policore dhunoi qytetarët dhe institucionet e shtetit të Kosovës”, të cilën e vendosën në rrethojnë e oborrit të qeverisë, përfaqësues të 25 organizatave joqeveritare, filluan protestën e sotme kundër dhunës.

Ata shprehën indinjatën ndaj qeverisë së Kosovës, që sipas tyre ka urdhëruar dhunën ndaj qytetarëve në protestën e organizuar nga vetëvendosja të shtunën.

Në emër të të gjitha organizatave,Lorik Bajrami, tha se e dënojnë ashpër dhunën, që policia ka ushtruar ndaj qytetarëve.

Bajrami tha se përgjegjësia për dhunën e ushtruar është një përgjegjësi politike. Ndërkaq qytetarët shprehën mllef për pamjet e protestës së ditës së shtunë.

Organizatorët e protestës thanë se protesta e së shtunës, ishte manifestim i vullnetit të qytetarëve dhe instrument tërësisht demokratik.

Sipas tyre, një ndërhyrje e tillë e dhunshme është sulm i drejtpërdrejtë ndaj parimeve, vlerave dhe praktikave demokratike. (LajmeShqip.com)