Lajme Shqip Monday, 16 January 2012 12:10

Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, tha të hënën, gjatë ceremonisë së përcjelljes të kontigjentit paqeruajtës në Afganistan “EAGLE 4”, në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas, pjesë e të cilës janë dhe punonjës të Policisë së Shtetit”, se “do të jemi bashkëpunëtorët më të denjë të aleatëve tanë të NATO-s dhe në veçanti, të forcave të armatosura amerikane me mision në Afganistan”.

Sipas Burgajt, “kjo është hera e dytë që punonjësit e Policisë së Shtetit marrin pjesë në një mision jashtë vendit. Dhe, ashtu si edhe herën e parë, policia do të tregojë se nuk është vetëm mbajtëse dhe zbatuese e standardeve më të mira bashkëkohore, por është njëherësh edhe përçuese e mirë e këtyre standardeve, praktikave të mira në organizatat policore dhe njësitë speciale të vendeve të tjera”.

Ai bëri të ditur se për të realizuar me sukses këtë mision, Policia e Shtetit, me ndihmën e ICIKAP, NATO-s dhe Shtabin e Përgjithshëm, ka marrë të gjitha masat e nevojshme. Këto masa, tha Burgaj, “kanë filluar të merren që në fazën e përzgjedhjes dhe trajnimit të personelit pjesëmarrës në këtë mision, deri në kompletimin e tyre me logjistikën e nevojshme”. Dhe kjo, nënvizoi ai, do të jetë baza e suksesit tonë.

Burgaj shprehu bindjen se me punën e tyre, kontigjenti “Eagle 4” do të transmetojë cilësitë më të mira të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe të kombit shqiptar në tërësi.

Gjatë ceremonisë së organizuar sot, ku u përcoll kontigjenti paqeruajtës “Eagle 4” në Afganistan, morën pjesë dhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, etj.