Lajme Shqip Monday, 16 January 2012 11:29

Tiranë – Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e cilësoi sot marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për përfaqësimin e përbashkët konsullor në ato vende ku Kosova nuk ka përfaqësi konsullore si “një hap të rëndësishëm drejt bashkimit diplomatik të dy vendeve”.

“Përfaqësimi i përbashkët konsullor është në drejtimin e duhur, edhe për faktin se diaspora shqiptare nuk mund të konceptohet si e ndarë për shkak të demarkacioneve shtetërore, por duhet të shihet si një tërësi. Tashmë shqiptarët, qofshin të Shqipërisë, qofshin të Kosovës, do të kenë një adresë për t’u mbështetur në vendet ku jetojnë dhe punojnë”, u shpreh Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, i PDIU-së, Ardit Bido.

Sipas Bidos, “PDIU, prej një viti ka ushtruar presion pozitiv në këtë drejtim në instancat shtetërore të dy vendeve dhe e ka përcaktuar bashkimin konsullor dhe diplomatik si një pikë programore themelore të saj”.

“Bashkimi konsullor sot është realitet, prandaj ka ardhur koha edhe për bashkimin diplomatik”, nënvizoi Bido. Sipas tij, “në historinë e shtetit shqiptar, përfaqësimi i përbashkët nuk është diçka e re. Për këtë arsye, është tërësisht normale por edhe e nevojshme që një marrëveshje e tillë të nënshkruhet edhe sot me Kosovën.

“Bashkimi diplomatik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk pengohet nga askush. Ajo është në përputhje me Konventën e Vjenës për Misionet Diplomatike të vitit 1961. Në nenin 6 të kësaj marrëveshjeje përcaktohet se “dy ose më shumë shtete mund të akreditojnë të njëjtin person si drejtues të misionit në një shtet tjetër, nëse shteti pranues nuk shpreh kundërshtime”, tha Bido.

Për këtë arsye, PDIU vijon të kërkojë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Republikës së Kosovës, që në ato vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ku Kosova nuk ka mundësitë apo kapacitetet që të ketë një mision të vetin diplomatik, ambasadat e Republikës së Shqipërisë të funksionojnë në përputhje me nenin 6 të Konventës së Vjenës, duke përfaqësuar diplomatikisht edhe Kosovën.

Sipas Bidos, “Kjo do të fuqizonte jo vetëm rolin diplomatik të dy shteteve, por do të shërbente edhe si një faktor i rëndësishëm i përvijimit të një politike të jashtme të qëndrueshme, të njësuar dhe të qartë”.

“PDIU mbështet me entuziazëm marrëveshjen mes dy ministrive tona të jashtme dhe kërkojmë që nivele të tilla bashkëpunimi e integrimi të institucioneve të arrihen edhe në fusha të tjera si ekonomia, dokumentacioni zyrtar, arsimi, mbrojtja, shëndetësia, kultura e rendi publik”, përfundoi Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, i PDIU-së, Ardit Bido.