Tel Aviv – Izraeli i ka hequr statusin VIP presidentit palestinez, Mahmud Abaz dhe i dha leje për udhëtim që vlen vetëm dy muaj, lajmëruan mbrëmë përfaqësuesit zyrtar palestinezë.
Ndaj kësaj ngjarje Abaz u ankua javën e kaluar gjatë takimit të organizatës së tij-Fatah, duke deklaruar se leja e re është e ngjashme me atë që u nevojitet punëtorëve palestinezë për hyrje në Izrael dhe është reflektim i vazhdimit të kontrollit të këtij vendi ndaj palestinezëve, duke sugjeruar se Izraeli po përpiqet ta dënojë sepse kërkoi anëtarësim të Palestinës në KB.
Zëdhënësi i agjencisë izraelite që i jep dokumentet e udhëtimit për palestinezët, majori Gaj Inbar, deklaroi se nuk ka ndryshim në politikë dhe se leja është rezultat i lëshimit teknik, që së shpejti do të mënjanohet.
Ai theksoi se liria e lëvizjes mbetet e njëjtë, siç ishte.
Leja VIP i mundësonte Abazit të udhëtojë ku të dëshirojë dhe kur të dëshirojë, kujtojnë mediat amerikane.
Përfaqësuesit zyrtar palestinezë deklaruan se leja e re nuk e pengon Abazin, i cili shpesh i viziton qytetet kryesore në botë, të dalë dhe të hyjë në Bregun perëndimor. Ai sot udhëton për në Londër, ku do të takohet me liderët britanikë.
Monday, 16 January 2012 08:52