Tiranë – Institucionet kulturore në Tiranë po i rikthehen normalitetit, duke çelur sezonin e ri artistik. Kjo fundjavë parashikon disa aktivitete për publikun. Disa prej tyre janë:
Teatër:
Teatri i Metropolit do të shfaqë sot dhe nesër, ora 20:00, dramën “Shtëpia e Bernarda Albës”, me regji të Kiço Londos, në sallën “Shekspir”. Vepra e Federiko Garsia Lorkës do të interpretohet nga Luiza Xhuvani, në rolin e protagonistes, ndërkohë që në role të tjera interpretojnë aktoret Roza Anagnosti, Erjona Kakeli, Adriana Tolka, Mirela Naska, Ermira Hysaj, Esela Pysqyli dhe Taulanda Jupi. Pesë vajza në kërkim të pasionit erotik të ndrydhur. Një Bernardë, e obsesionuar nga konceptet e nderit dhe traditës. Një gjyshe e burgosur nga e bija. Në një ambient uji, vajzat ndjellin dëshirat seksuale.
Teatri Kombëtar do të shfaqë këtë të shtunë dhe të dielë, ora 19:00, shfaqjen “Amadeus” nga Altin Basha. Aktorët Fatos Sela dhe Marin Orhanasi ishin Moxart dhe Salieri, protagonistët e dramës psikologjike të autorit anglez Peter Schaffer, që luftojnë për të zënë vendin e dirigjentit të orkestrës së oborrit mbretëror të Jozefit të dytë. Në role të tjera interpretojnë aktorët Eni Jani, Gazmend Paja, Romir Zalla, Gjergj Mena, Vangjel Toçe, etj. Drama e Schaffer është premiera e parë e këtij sezoni artistik të TK dhe do të vazhdojë të shfaqet çdo fundjavë, ora 19:00, në sallën “Kadri Roshi”.
Teatri Kombëtar i Komedisë shfaq këtë fundjavë, ora 19:00, komedinë e Stefan Çapaliku “XXL TV”, me regji të tij dhe të Naun Shundit. 7 aktorë do të luajnë 11 personazhe, të cilat ndryshojnë dhe transformohen vazhdimisht. Bujar Asqeriu, Mehdi Malka, Olta Daku, Lulzim Zeqja, Flaura Kureta, Marsela Lena dhe Roland Saro janë aktorët që me anë të lojës së tyre do të sjellin për publikun mënyrën se si manipulohet e vërteta nga media.
Opera:
Në datën 19 Janar, ora 19:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit rishfaqet “Flauti Magjik”, opera gjermane në dy akte e kompozitorit Wolfang Amadeus Mozart, mbi libretin e Emanuel Schikaneder. Të gjitha ngjarjet skenike dhe muzikore që zhvillohen në “Flautin Magjik” ndjekin një dinamikë shumë të fortë teatrale, por e shkëputur nga një logjikë dramatike. Kostumin e Taminos në shfaqjen operistike “Flauti magjik” do ta veshë tenori nga Kosova Riad Ymeri, në rolin e Papagenos do të interpretojë Armando Likaj, ndërsa në role të tjera interpretojnë Klodiana Brahimi, Blerta Cina, Vladimir Sazdovski, Luan Sulam, Erlind Zeraliu, Gilmond Myftari, etj.
Arte pamore:
Në Galerinë Kombëtare të Arteve qëndron e hapur ekspozita-konkurs “Onufri”, ku krijimet e 22 artistëve prezantojnë pikturën moderne shqiptare. Kuratori i ekspozitës, Alban Hajdinaj, është përpjekur të thyejë ritualin e “Onufrit” që përqëndrohej tek artistët e kohëve të fundit, duke u kthyer pas në kohë për të gjetur komponentë të modernes në fotografitë e viteve ’20-’30 apo në pikturat e viteve ’60-’90. Ky është edicioni i 18-të i “Onufrit” i cili do të qëndrojë në GKA deri në datën 5 shkurt të këtij viti, ndërkohë që juria pritet të zgjedhë fituesin e këtij edicioni.
Teatër për fëmijë:
Teatri i Metropolit për fëmijë do të shfaqë çdo të shtunë dhe të dielë, ora 10:30, premierat e reja “Maçoku me çizme” me regji të Nelson Mullës dhe “Tomi, Xherri dhe Spajk” në regjinë e Oriana Camës. Shfaqjet do të luhen në sallën “Çehov” deri në fund të këtij viti.
Teatri Kombëtar për Fëmijë do të shfaqë këtë të shtunë dhe të dielë, ora 10:00, shfaqjen “Legjenda Indiane” nga regjisorja Enkela Braho. Tema është marrë nga kërkimi i vazhdueshëm i njeriut për të arritur atë që është e mirë, e ndershme dhe e meritueshme.
Koncerte:
Në kuadrin e aktiviteteve që “Ansambli Folklorik Tirana” do të zhvillojë gjatë këtij muaji, do të jepet një koncert për fëmijët jetimë dhe për të moshuarit e qëndrave ditore në kryeqytet. Koncerti do të jetë ditën e premte, 20 janar, ora 11:00, në qëndrën ditore për të moshuarit. Programi i përgatitur për të dy koncertet do të përfshijë këngë dhe valle të ndryshme, kryesisht me motive të Tiranës, si dhe nga krahina të tjera të Shqiperisë.
Cirk:
Arena e Cirkut të Metropolit çdo të shtunë dhe të dielë vazhdon të shfaqë deri në datën 30 qershor pjesën “Thesaret e cirkut”. Shfaqja ka një larmi numrash të interpretuar nga artistët e mirënjohur si dhe artistet më të rinj të trupës së cirkut. Në programin e saj janë përfshirë të gjithë zhanret tradicionale të cirkut si numrat e shpejtësisë, numrat me kafshë, xhonglimi, kllounata, akrobacia e numrat e lartësisë.
Filma:
Kinema “Millennium” vazhdon të shfaqë deri në datën16 janar, premierën e re “Sherlock Holmes 2”, me aktorë Robert Downey Jr. Judelaw, Noomi Rapce, Jared Harris, Eddie Marsan, Stephen Fry, Rachel McAdams, etj. Në po këtë kinema vazhdon të shfaqet deri më datë 16 janar komedia “Harold & Kuma 3”.
Kinema Imperial vazhdon gjithashtu shfaqjen e filmit “Sherlock Holmes 2” si dhe komedia “New Year’s Eve” me aktorë Halle Berry, Jessica Biel, Jon Bon Jovy, Abigail Breslin, Sofia Vergara, etj.
Saturday, 14 January 2012 12:59