Lajme Shqip Saturday, 14 January 2012 11:30

Tiranë – Banka Botërore siguroi se do të mbështesë financiarisht qeverinë shqiptare për zbutjen e efekteve të krizës në eurozonë dhe ruajtjen e rritjes ekonomike në Shqipëri.

Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, znj.Kseniya Lvovski, gjatë një takimi të enjten në Tiranë me përfaqësues të medias, shprehu gatishmërinë për të ndihmuar qeverinë shqiptare për reduktimin e borxhit, përmirësimin e ligjit për ndihmën sociale si dhe ndërmarrjen e reformave në sistemin e pensioneve.

“Financimi i ri i Bankës Botërore për Shqipërinë do të përdoret për të forcuar dhe zgjeruar reformat për konkurrueshmërinë dhe qeverisjen. Ndihma do të përqëndrohet në reduktimin e dobësive fiskale dhe borxhit publik”, tha Lvovsky.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore parashikojnë se rritja ekonomike në Shqipëri për këtë vit do të jetë 2%, ndërkohë që vënë theksin në ruajtjen e rritjes ekonomike pavarësisht rreziqeve të jashtme.

Duke folur për investimet që janë bërë në Shqipëri, përfaqësuesja e BB përmendi fondin prej 22 milionë dollarë të miratuar më 22 dhjetor për sigurinë e digave.

Të premten raporti i publikuar nga Fondacioni Heritage, mbi “Indeksin e Lirisë Ekonomike për vitin 2012”, renditi vendin tonë mes 26 vendeve në Europë, për lirinë ekonomike mbi mesataren botërore dhe në kategorinë “shumë të lartë”.

Në raportin e “Heritage”, Shqipëria për këtë vit është ngjitur me 13 vende më lart se viti i kaluar, duke lënë pas kështu shumë vende të botës, Europës dhe Ballkanit.

Niveli i lirisë në zhvillimin e sektorëve ekonomikë, lexohet në raport, ka shkuar 1,1 pikë më lart se ai i vitit 2010, falë përmirësimeve të regjistruara në luftën kundër korrupsionit dhe në lirinë e të bërit biznes.

Në raport vlerësohen edhe masat e marra nga qeveria shqiptare në ndihmë të biznesit. Së pari lexohet në raport, vendi ka ushtruar një presion fiskal të konkurrueshëm, një taksë të ulët me 10% mbi biznesin dhe mbi të gjitha vendi ka përjetuar një rritje të fortë ekonomike, e cila ka kontribuar në reduktimin e varfërisë dhe papunësisë.

Indeksi i Lirisë Ekonomike, publikohet çdo fillimviti nga kompania prestigjoze e kërkimeve ekonomike amerikane “Heritage Foundation”, në bashkëpunim me të përditshmen “The Wall Street Journal”.

Në krye të klasifikimit, nga 179 vendet e marra në studim, klasifikohen Hong Kongu, Singapori, Australia, Zelanda e re dhe Zvicra.

Ndërkohë po të premten ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se ekonomia shqiptare performoi pozitivisht, në kushtet kur e gjithë Europa u përfshi nga një stanjacion i dytë pas atij të vitit 2008-2009.

“Ka qënë një vit jo i lehtë për ekonominë shqiptare, por ajo arriti të jetë vitale dhe konkurruese në rajon”, deklaroi ministri Bode.

Sipas tij, buxheti i viti 2011 reflektoi objektivat e programuara, duke mos çuar në rritjen e borxhit dhe deficitit publike, ndërsa shtoi se trendi i të ardhurave në buxhet ka shënuar rritje për vitin 2011.

“Të ardhurat në total llogariten 330.4 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet janë 376 miliardë lekë. Të ardhurat ga tatimet u rritën me 3.5 %, krahasuar me 2010-ën, ndërsa nga doganat me 7.5 %”, theksoi Bode.

“Borxhi publik në vitin 2011 llogaritet rreth 58.9 % e PBB-së, ndërsa kosto e shërbimit të tij u ul me 3.1 %”, deklaroi ai gjatë analizës vjetore të financave publike. Sipas tij, këtë vit do të zbatohen politika me tendencë për të ulur më tej borxhin publik dhe defiçitin buxhetor. “Gjatë këtij viti niveli i defiçitit buxhetor parashikohet të shkojë në 3 % të PBB-së, ndërsa niveli i borxhit publik do të tentohet të normalizohet në parametrat e viteve 2007-2008”, u shpreh Bode. Ai theksoi se gjatë këtij viti ekonomia nuk do të përfshihet në krizë, pavarësisht zhvillimeve në eurozonë. Sipas tij, vëllimi i eksporteve në vitin 2012 parashikohet të rritet me 15 % krahasuar me 2011, ndërsa në 2011 u rritën me 30 %, krahasuar me vitin 2010.

Ndërtimi i tunelit të Kërrabës, në autostradën Tiranë-Elbasan, është një ndër objektivat për vitin 2012. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, deklaroi të hënën, gjatë analizës vjetore të punës për vitin 2011 dhe objektivat gjatë 2012, se infrastruktura rrugore, strehimi dhe përmirësimi i sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve mbeten sfidat edhe për këtë vit.

Olldashi bëri të ditur se gjatë vitit 2011 është punuar në 452 km rrugë, prej të cilave 132 km janë përfunduar dhe mbeten në proces edhe rreth 320 km, që do të mbyllen brenda këtij viti.

Ndër akset kryesore, Olldashi renditi përfundimin e punimeve në rrugën dytësore Milot-Fushë Krujë, Bajram Curri-Dragobi, rruga e Porto Romanos, rruga e Liqenasit, rruga “Aleksandër Goga” në Durrës, loti i parë i rrugës së Shishtavecit në Kukës, rruga hyrëse në Sarandë, etj.

Në vitin 2011, sipas Olldashit, ka nisur puna edhe në një sërë aksesh të tjera rrugore, si autostrada Tiranë-Elbasan , puna në unazën e Tiranës, konkretisht segmenti nga Komuna e Parisit deri në kryqëzimin e urës Tiranë-Elbasan, si dhe do të vijohet me investime në rrugën e Arbrit.

Kreu i Punëve Publike dhe Transportit tha se gjatë viti 2012 po investohet në ndërtimin e segmenteve të rrugës Tiranë-Elbasan, Levan-Tepelenë, autostradën Fier-Vlorë, By-passet e Durrësit, Fierit dhe të Vorës.

“Projekti i banesave sociale, i aplikuar në 8 bashki kryesore të vendit, ka prodhuar 1138 apartamete, nga të cilat 385 apartamente në Tiranë, 126 në Durrës, etj”, deklaroi Olldashi.

Sipas tij, kemi patur 646 familje që kanë përfituar nga projekti i kreditimit të lehtësuar, nga këto 93 familje qiramarrës. “Ky program i zhvillimit të banesave sociale dhe kreditimit të familjeve të pastreha ka vënë në qarkullim një stok banesash 5.1 miliard lekë dhe ka ndikuar me 2 % në rritjen e kreditimit të pasurive të paluajtshme të bankave të nivelit të dytë”, tha Olldashi. Duke u ndalur në objektivat për vitin 2012 ministri Olldashi tha se parashikohet sigurimi i strehimit për 959 familje.