Tiranë – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët e saj mbi dy tubime që pritet të zhvillohen në ditët në vijim nga Partia Socialiste.
Bëhet fjalë për tubimin e datës 15 janar, për 20 vjetorin e Forumit Rinor të Partisë Socialiste, dhe për tubimin e datës 21 janar, në kujtim të viktimave të 21 janarit 2011.
Ambasada Amerikane, me anë të një mesazhi, paralajmëron qytetarët e saj që të qëndrojnë larg tubimeve, pasi edhe pse është paralajmëruar për një tubim të qetë, situata mund të ndryshojë nga momenti në moment.
“Partia Socialiste Shqiptare ka njoftuar për mbajtjen e një tubimi publik ditën e shtunë, 21 janar 2012. Informacionet aktuale tregojnë se tubimi do të zhvillohet përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës “Dëshmorët e Kombit” përballë zyrës së Kryeministrisë si dhe në vende të tjera të qytetit. Partia Socialiste ka bërë thirrje dhe për tubime në qytete të tjera të vendit që do të mbahen në të njëjtën ditë. Ambasada nuk ka informacione në lidhje me zonat që mund të preken apo me madhësinë e mundshme të këtij tubimi. Demonstratat mund të ndikojnë në të gjitha arteriet kryesore në hyrje të qytetit në të cilën ato ndodhin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.
Në vijim të njoftimit, Ambasada Amerikane u kujton qytetarëve të saj se pavarësisht se në të shkuarën kanë ndodhur shumë demonstrata paqësore, ka pasur raste që ato janë shndërruar në të dhunshme si rasti i 21 janarit 2011.
“Edhe pse demonstratat paqësore në Tiranë kanë ndodhur shpesh në të kaluarën, demonstrata e 21 janarit 2011 ishte e dhunshme dhe rezultoi në vdekjen e katër personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve, duke përfshirë dhe efektivë të Policisë së Shtetit Shqiptar. Mitingjet pasuese në Tiranë kanë qenë të qetë dhe kanë tërhequr deri në 10.000 njerëz, sipas vlerësimeve të besueshme. Ne kujtojmë qytetarët e SHBA-ve se edhe demonstratat për qëllime paqësore mund të kthehen të dhunshme dhe të paparashikueshme”, kujton Ambasada Amerikane.
Në fund të njoftimit, Ambasada e SHBA-ve u bën thirrje qytetarëve të saj që të shmangin tubimet dhe të tregohen shumë të kujdesshëm nëse ndodhen në afërsi të saj.
“Ju duhet ta shmangni tubimin nëse është e mundshme. Demonstratat në një qytet kanë potencial për të çuar në shtesë të personave në tubim ose përhapjen e demonstratave të tjera në të gjithë vendin. Jini vigjilent në vendbanimin tuaj dhe u kushtoni vëmendje raporteve të medias lokale në lidhje me të gjitha tubimet publike ose demonstrata të mundshme. Qytetarët e SHBA-së nxiten të ushtrojnë kujdes të fortë nëse ndodhen në afërsi të tubimit”, thekson mesazhi i Ambasadës Amerikane, drejtuar qytetarëve të saj që jetojnë në Shqipëri.
Saturday, 14 January 2012 11:00