Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 18:30

Treguesit e buxhetit konfirmojnë se viti 2011 ishte i vështirë për ekonominë shqiptare. Ministri i Financave, Ridvan Bode, doli sot para mediave për të prezantuar treguesit fiskalë të vitit të kaluar, që rezultuan në mosrealizim të të ardhurave dhe shpenzimeve, si edhe në rritje të deficitit dhe borxhit publik.

Deficiti buxhetor në fund të vitit 2011 rezultoi në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 3% që kishte qënë në vitin 2010. Ndërsa, borxhi publik u rrit në 58.9%, nga 58.1% që kishte qënë në vitin 2010.

Pavarësisht se ministri Bode i paraqiti rezultatet  me nuanca pozitive, sidomos në kontekstin e mjedisit ekonomik botëror, performanca fiskale rrit shqetësimet se e njëjta problematikë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2012.

Për këtë vit, qeveria synon ta ulë sërish deficitin në 3%. Por, pamundësia për të realizuar planin e të ardhurave që u verifikua në vazhdimësi gjatë gjithë vitit 2011 e vendos në rrezik përmbushjen e objektivit, po të kemi parasysh se projeksionet e qeverisë për rritjen ekonomike vazhdojnë të jenë më optimiste krahasuar me parashikimet e institucioneve ndërkombëtare.

Nëse qeveria përsëri nuk arrin të realizojë të ardhurat e planifikuara, kosto e uljes së deficitit do të jetë shkurtimi i mëtejshëm i shpenzimeve publike, çka do të ndikonte negativisht në kërkesën e brendshme në dhe në rritjen ekonomike të vendit.