Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 13:11

Prishtinë- Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i shohin me shqetësim veprimtaritë e planifikuara për datën 14 janar nga Lëvizja Vetëvendosja, për të mbyllur pikat kufitare të Kosovës në portat 3 dhe 5, si dhe për të kufizuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave brenda Kosovës.

“Ne nxisim Vetëvendosjen që të përmbahet nga çfarëdo dhune ose provokimi ndaj personelit të Policisë së Kosovës. Veprimet e tilla jo vetëm që do të jenë joligjore, por po ashtu do të rrisin tensionet politike në Kosovë dhe do të ndikonin negativisht në imazhin e Kosovës jashtë vendit”, theksohet në deklaratën e përbashkët të këtyre ambasadave.

Më tej theksohet se, çdo bllokim i njëanshëm i tregtisë, po ashtu do të shkonte kundër përkushtimeve të Kosovës në CEFTA-n. “Ne jemi të bindur që Policia e Kosovës, e mbështetur nga EULEX-i dhe KFOR-i në rolet e tyre përkatëse, do të tregojnë përmbajtje dhe profesionalizëm në sjelljen e tyre ndaj çfarëdo provokimi, por në fund Vetëvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të planifikuara prej saj”, thekson deklarata.

Më tej, shtohet se asnjë parti politike nuk gëzon pushtetin jashtëligjor për të marrë ligjin në duart e veta e as për të zbatuar njëanshëm interpretimin e vetë të akteve legjislative.

“Këto janë kompetenca legjitime të një qeverie të zgjedhur dhe asnjë parti politike nuk mund t’i përvetësojë ato. Këto veprime shkojnë përtej të drejtës legjitime për të shprehur mendimet e kundërta, të cilat ne gjithmonë i mbështesim. Ato janë plotësisht në mospërputhje me parimet themelore të qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit”, thuhet në deklaratë.

Ambasadat theksojnë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për marrëveshjet e arritura deri tani. “Qëllimi strategjik i këtij procesi është për të mundësuar normalizimin gradual të gjendjes së Kosovës në rajon.

Ky normalizim dhe vendosja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, janë në interes konkret dhe praktik të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Po ashtu, ky është shtegu i vetëm që çon në integrimet euroatlantike. Kosovarët nuk duhet të lejojnë asnjë parti politike që ta sabotojë këtë proces”, përfundon deklarata. (LajmeShqip.com)