Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 11:00

Londër – “Në vitin 2050 Kina do të jetë në vendin e parë në listën e ekonomive udhëheqëse në botë,” parashikohet në raportin e Bankës britanike ‘HSBC Bank’.

“Pozicionimi i Kinës në vendin e parë, në klasifikimin e ekonomive udhëheqëse në botë, nuk do të befasojë askënd,” shkruan gazeta franceze “Figaro”.

Në hartën ekonomike SHBA-ja do të jetë në vendin e dytë, ndërsa India në vendin e tretë. Pesëshen e parë të ekonomive udhëheqëse do ta plotësojë Japonia dhe Gjermania. Ndërsa dhjetëshja e parë do të plotësohet nga Britania e Madhe, Brazili, Meksika, Franca dhe Kanadaja.

Hovin më të madh ekonomik deri në vitin 2050 do ta bëjnë Filipinët, të cilat do të kapërcejnë 27 pozicione, duke u renditur e 16-ta në listën e ekonomive udhëheqëse në botë. Vendet e tjera nga 11-ta deri tek 20-ta do të merren nga Italia (11) Turqia (12), Koreja Jugore (13), Spanja (14), Rusia (15), Indonezia (17) Australia (18), Argjentina (19) dhe Egjipti (20).

Për të nxjerrë një rapor të tillë, banka ka studiuar me kujdes qindra shtete. Përveç klasifikimit të 30-të ekonomive më të mëdha në botën në vitin 2050, vendet e studiuara janë ndarë edhe në tri grupe në bazë të shpejtësisë së tyre të rritjes ekonomike.

Sipas raportit, mes vendeve të cilat do të shënojnë rritje deri në mesin e shekullit do të jenë Bullgaria, Brazili, Meksika, Turqia, Rusia, Indonezia, Argjentina, Arabia Saudite, Tajlanda, Irani, Venezuela, Pakistani, Kolumbia, Kili, Nigeria, Rumania, Hungaria, Libia, Bahreini, Lituania, Letonia, Qiproja, Bosnja e Hercegovina, Bjellorusia, Iraku, Çekia, Kuvajti, Marokoja, Zelanda e Re, Siria, Tunizia Kroacia, Jemeni.

Përveç kategorisë ‘vende me rritje’, ka kategori edhe të vendeve ‘me rritje shumë të shpejtë ekonomike’ dhe ‘me rritje të qëndrueshme ekonomike’. Në vitin 2050 SHBA-ja do të jetë në kategorinë e vendeve me rritje të qëndrueshme ekonomike, së bashku me Britaninë e Madhe, Kanadanë, Francën, Italinë, Korenë Jugore etj.

Kina dhe India do të jenë në kategori të vendeve me rritje shumë të shpejtë, së bashku me Filipinet, Egjiptin, Malezinë, Serbinë Ukrainën…

Sipas gazetës franceze “Figaro”, gjatë hartimit të raportit banka ka marrë parasysh edhe kriteret si, të ardhurat për çdo banor, rritjen demografike, nivelin e arsimit, ritmin e zhvillimit.